Vrasja e shqiptarit Miklovan Dakaj në Spanjë po merr përmasa gjithnjë e më të rënda, teksa mediat spanjolle, veçanërisht “La Razón” kanë zbuluar detaje tronditëse mbi skemën e krimit dhe personat e përfshirë, duke identifikuar me emra konkretë të arrestuarit: dy shqiptarët Ilir J., Indrit G. dhe shtetasja spanjolle Marina C..
Ngjarja nis në maj 2025 në zonën luksoze të Puerto Banús, Marbella, ku Dakaj u pa për herë të fundit pasi kishte dalë nga një restorant. Sipas hetimeve, ai kishte pranuar të takonte disa persona që i kishin premtuar një punë si truprojë, pa e ditur se po hynte në një kurth vdekjeje. Vetëm pak minuta më vonë, ai hipi në një makinë tip Peugeot 208, e marrë me qira në Barcelonë, ku ndodheshin tre të dyshuarit.
Hetuesit spanjollë kanë rindërtuar lëvizjet përmes sinjaleve telefonike dhe kamerave të sigurisë, duke zbuluar se makina u drejtua drejt zonës së izoluar të rezervuarit Casasola në Málaga. Aty dyshohet se Dakaj u vra dhe më pas trupi i tij u zhduk me metoda tipike mafioze. Muaj më vonë, në tetor, trupi u gjet i lidhur dhe i futur në qese plastike, çka konfirmoi dyshimet për një ekzekutim të planifikuar.
Sipas mediave spanjolle, rolet e të arrestuarve janë të ndara qartë: Ilir J. konsiderohet si një nga organizatorët kryesorë dhe është lënë në burg pa të drejtë lirimi me kusht; Indrit G. dyshohet si bashkëpunëtor në rrëmbim dhe transportim, por është liruar me garanci prej 25,000 euro; ndërsa Marina C., shtetasja spanjolle, lidhet me sigurimin e mjetit të përdorur në krim dhe mbështetjen logjistike.
Megjithëse motivi nuk është shpallur zyrtarisht, burimet e hetimit dhe raportimet në Spanjë flasin për një larje hesapesh brenda rrjeteve të krimit të organizuar, në një zonë si Costa del Sol ku përplasjet për trafikun e drogës janë bërë gjithnjë e më të shpeshta. Rasti i Dakajt nxjerr në pah një skemë të rrezikshme: joshje me oferta pune, rrëmbim i shpejtë dhe eliminim në zona të izoluara – një metodë që po përdoret gjithnjë e më shpesh nga grupet kriminale që operojnë në Spanjën jugore.



