Ilir Beqaj: Më nxirrni nga kafazi, kam të drejtat e mia!

spot_img
Advertisements

Ermal Yzeiraj, avokati mbrojtës i ish-ministrit Ilir Beqaj, ka reaguar në rrjete sociale lidhur me kërkesën që Beqaj ka bërë për të mos qëndruar më brenda kafazit të sigurisë, por në sallë, pranë avokatit.

Yzeiraj thotë se kërkesa është e drejtë dhe në përputhje të plotë me standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por mbi të gjitha është praktikisht edhe lehtësisht e realizueshme. Megjithatë, ende kjo nuk është realizuar, ndërsa gjykatat ia hedhin topin njëra-tjetrës.

Ai thotë se tani i është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe pritet reagimi. “Në të kundërt, lind një pyetje e thjeshtë: nëse shoqërimi jashtë kafazit të sigurisë është i realizueshëm kudo tjetër pa asnjë problem sigurie, atëherë kafazi në sallën e Gjykatës së Posaçme nuk është çështje sigurie, por çështje ndikimi në perceptimin se si i pandehuri duhet të shikojë veten, si gjykata dhe palët e tjera duhet ta shikojnë atë dhe se si duhet ta shikojë publiku dhe mediat”, shkruan Yzeiraj.

Postimi i avokatit mbrojtës të Ilir Beqajt:

Së fundmi, Z. Ilir Beqaj, në të dyja proceset gjyqësore të iniciuara ndaj tij, i ka kërkuar gjykatës që gjatë seancave të mos qëndrojë më brenda kafazit të sigurisë, por në sallë, pranë meje si avokat mbrojtës.

Kjo kërkesë nuk është thjesht e arsyeshme, e drejtë dhe në përputhje të plotë me standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por mbi të gjitha është praktikisht edhe lehtësisht e realizueshme. Sidomos në kushtet e Gjykatës së Posaçme, ku niveli i sigurisë është maksimal.

Në praktikë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka hasur asnjë vështirësi për të garantuar shoqërimin e lirë të personave të paraburgosur kur ata paraqiten si palë apo dëshmitarë në Kuvendin e Shqipërisë (rasti i Z. Ilir Beqaj në komisionet e posaçme të Kuvendit), apo në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën Administrative (rasti i Z. Veliaj). Paradoksalisht, i vetmi institucion ku një shoqërim i tillë jashtë kafazit bëhet “i pamundur” është pikërisht Gjykata e Posaçme — gjykata më e sigurt në vend.

Të dyja gjykatat, me vendime të ndërmjetme, u shprehën se kjo çështje nuk është në kompetencën e tyre, por i përket Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Në këto kushte, më datë 10.04.2026 i kemi drejtuar këtij institucioni një kërkesë zyrtare për të mundësuar qëndrimin e Z. Ilir Beqaj në sallë, pranë mbrojtësit, dhe jo në kafazin e sigurisë.

Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një reagim.

Në të kundërt, lind një pyetje e thjeshtë: nëse shoqërimi jashtë kafazit të sigurisë është i realizueshëm kudo tjetër pa asnjë problem sigurie, atëherë kafazi në sallën e Gjykatës së Posaçme nuk është çështje sigurie, por çështje ndikimi në perceptimin se si i pandehuri duhet të shikojë veten, si gjykata dhe palët e tjera duhet ta shikojnë atë dhe se si duhet ta shikojë publiku dhe mediat

spot_img

Latest articles

Related articles