Profil i liderit të ri hungarez Peter Magyar, lideri i së djathtës rë re hungareze

spot_img
Advertisements

Si fëmijë që rritej në Budapest, Peter Magyar kishte një poster të Viktor Orbán të varur mbi shtratin e tij. Në atë kohë Orban ishte një figurë kryesore e lëvizjes pro-demokratike në vend. Ai ishte mes disa figurave politike që zbukuronin dhomën e tij, tregoi Magyar në një podcast vitin e kaluar, duke lënë të kuptohej entuziazmi i tij për ndryshimet që po përjetonte vendi pas rënies së komunizmit.

Sot, Magyar, 45 vjeç, është forca shtytëse pas një tjetër ndryshimi potencialisht historik në Hungari: largimit nga pushteti të Orban, sundimi 16-vjeçar i të cilit e ka kthyer vendin në një “laborator për iliberalizmin”.

Pak kush mund ta kishte parashikuar ngjitjen meteorike të Magyar dhe partisë së tij Tisza. “Ai ka ndërtuar një lëvizje opozitare me një shpejtësi të jashtëzakonshme,” tha Gábor Győri nga Policy Solutions, një institut kërkimor politik në Budapest. “Kurrë, që nga historia e Hungarisë pas tranzicionit, nuk kemi parë një parti që ngrihet kaq shpejt.”

Ata që e njohin Magyar shpesh luhaten mes admirimit dhe antipatisë. Shumë vlerësojnë lëvizjen e fuqishme që ai ka ndërtuar dhe disiplinën që ka treguar, duke përshkuar vendin dhe duke mbajtur deri në gjashtë fjalime në ditë. Por njëkohësisht e përshkruajnë si një njeri me temperament të shkurtër dhe me një stil që ndonjëherë mund të jetë i ashpër.

Të tjerë mendojnë se ai është njeriu i duhur për këtë moment. “Mendoj se, si të gjithë politikanët, mund të jetë një person i vështirë,” tha Tamás Topolánszky, regjisor që ka ndjekur Magyar për 18 muaj për një dokumentar mbi ndryshimet në shoqërinë hungareze.

Topolánszky e përshkruan Magyar si autentik dhe pasionant, por edhe si dikush që mund të jetë i paduruar. “Mendoj se kjo është diçka që ne hungarezët tani e shohim se ishte e nevojshme për të arritur deri këtu.”

Përmes kamerës së tij, ai e ka ndjekur Magyar teksa shfaqej në qytete dhe fshatra në të gjithë Hungarinë, duke thyer gradualisht apatinë që kishte karakterizuar politikën hungareze për vite. “Energjia në këto tubime ishte diçka që nuk e kam përjetuar kurrë më parë,” tha ai.

Ngjitjen e veçantë të Magyar e shpjegon edhe lidhja e tij e thellë me partinë Fidesz të Orbán. Një pjesë e madhe e jetës së tij është kaluar në rrethet elitare të kësaj partie. Miqtë e tij të afërt kanë përfshirë Gergely Gulyás, shefin e kabinetit të Orbán, ndërsa në vitin 2006 ai u martua me Judit Varga, ish-ministre e drejtësisë nga Fidesz. Ai ka shërbyer si diplomat në Bruksel dhe ka mbajtur poste të larta në institucione shtetërore.

Magyar hyri në qendër të vëmendjes në vitin 2024, kur u zbulua se qeveria e Orbán – e cila për vite kishte ndërtuar imazhin e saj mbi mbrojtjen e familjes dhe fëmijëve – kishte falur një person të dënuar për mbulimin e një skandali abuzimi seksual në një shtëpi fëmijësh. Judit Varga, tashmë ish-bashkëshortja e tij, dha dorëheqjen, ashtu si edhe presidentja Katalin Novák.

Magyar reagoi ashpër në rrjetet sociale, duke akuzuar zyrtarët e Fidesz se po përdornin dy gratë si “kokë turku”, ose siç shkroi ai: “duke u fshehur pas fundeve të grave”.

Ai vazhdoi të fliste publikisht, duke tronditur shoqërinë hungareze si një ish-insajder që po zbulonte mekanizmat e një sistemi që ai e përshkroi si të kalbur. Sipas tij, Fidesz ishte një “produkt politik” i shitur qytetarëve, ndërsa zyrtarët zgjeronin pushtetin dhe pasurinë e tyre në kurriz të qytetarëve të zakonshëm.

Ky mesazh gjeti jehonë të fortë, në një kohë kur shumë hungarezë përballeshin me rritjen e kostos së jetesës, shërbime publike në përkeqësim dhe paga të stagnuara. Pas një proteste me rreth 35 mijë pjesëmarrës në mars 2024, Magyar lançoi lëvizjen e tij politike.

Megjithatë, e kaluara e tij në Fidesz e bën edhe më kompleks profilin e tij. Në dokumentarin “Spring Wind”, kur u pyet: “Me kë je mik tani?”, ai u përgjigj pas një pauze: “Kjo është një pyetje e mirë. Është e vështirë të thuash nëse ke miq të vërtetë në një situatë si kjo.”

Ndërsa shumë qytetarë janë rreshtuar pas tij, një pjesë e votuesve mbeten skeptikë. “Magyar nuk është shenjt, por Fidesz duhet të ikë,” tha Anita, 33 vjeç, në një park në Kecskemét. Ajo e pranoi se vota për Tisza ishte një bast, i lindur nga shpresa se ai do të ishte ndryshe nga të tjerët. “Çdo gjë është më mirë se kjo vdekje e qetë,” shtoi ajo.

Topolánszky e sheh të kaluarën e Magyar si një avantazh: “Ai është një njeri nga brenda që hoqi dorë nga gjithçka – nga përfitimet – për të mos vazhduar më me Fidesz.”

Pavarësisht një fushate dyvjeçare dhe një programi prej 240 faqesh, shumë detaje mbi atë që do të bëjë konkretisht mbeten të paqarta. Kjo është pjesërisht e qëllimshme, pasi ai ka ndjekur një fushatë të kontrolluar për të mos u dhënë material mediave, rreth 80% e të cilave kontrollohen nga Fidesz.

“Ai është një ‘kalë i errët’,” tha Győri. “Ne nuk dimë shumë për të.”

Magyar ka premtuar të rikthejë balancat demokratike, të përmirësojë marrëdhëniet me BE-në për të zhbllokuar fondet e ngrira dhe të luftojë korrupsionin. Ai ka premtuar të heqë varësinë nga energjia ruse deri në vitin 2035 dhe të ndjekë “marrëdhënie pragmatike” me Moskën.

Sa i përket Ukrainës, ai do të vazhdojë të kundërshtojë dërgimin e armëve dhe anëtarësimin e shpejtë në BE, por ekspertët thonë se edhe ndalimi i vetove të Hungarisë do të ishte një ndryshim i madh.

Në çështje të tjera të ndjeshme, si ndalimi i Pride, ai ka zgjedhur të mos pozicionohet. “Ai thjesht nuk flet për këto tema,” tha Győri.

Një nga pikëpyetjet më të mëdha mbetet se çfarë mund të bëjë realisht në pushtet. Gjatë 16 viteve, Fidesz ka mbushur shtetin, median dhe drejtësinë me besnikë, ndërsa ndryshimet kërkojnë një shumicë prej dy të tretash në parlament.

Megjithatë, shumë hungarezë janë bashkuar rreth tij. Sipas deputetit të pavarur Ákos Hadházy: “Kur bëhet fjalë për Peter Magyar, ka edhe pikëpyetje edhe pikëçuditëse. Por shoqëria hungareze e ka pranuar këtë.”/ Përshtatur nga The Guardian

spot_img

Latest articles

Related articles