Eksperti kriminalistik, njëkohësisht edhe ish-drejtues policie, Artan Rexhepi, në një intervistë për emisionin “Breaking” në Top News me gazetarin Xhoi Malësia, bëri një deklaratë të fortë, ndërsa tha se burgu 313 ka dalë jashtë përdorimit dhe vuri në dukje se mund të mund të kryhen ekzekutime nga jashtë, pasi burgu, sipas tij është pranë godinave të banimit.
“Burgu 313 ka dalë jashtë përdorimit… Ka një dokument të Institutit të Ndërtimit kur kemi qenë ekspert, sepse ishte një projekt që do të restaurohej ose do të ndërtohej diçka e re. Ka degjenerime si strukturë, nuk mund të riparohet më. Nuk bëhet më burg për kushtet që ka, dhe që është pranë banesave. Nuk mund të ketë një burg pranë banesave, një i burgosur i VIP, po them për shembull si Nuredin Dumanin, që mund të ekzekutohet me snajper nga jashtë. Burgjet duhen ndërtuar jashtë qyteteve, siç i ka gjithë bota”, tha Rexhepi.
Brenda paraburgimit Jordan Misja, ose siç njihet ndryshe burgu “313” në kryeqytet, ndodhen disa nga emrat më të njohur të krimit të organizuar. Gjithashtu aty ndodhet i paraburgosur edhe ish-presidenti Ilir Meta.



