Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, foli në emisionin “Off the Record” në A2CNN mbi mundësinë e kandidaturës së tij në zgjedhjet e ardhshme lokale për Bashkinë e Tiranës.
Pyetjes së prerë të moderatorit Andrea Danglli nëse do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës, Alimehmeti iu përgjigj duke u shprehur se ka dhënë disponibilitetin e tij për të qenë kandidat.
“Si të vendosë PD. Pra, unë disponibilitetin tim e kam dhënë me kohë. Do vendosin, do mblidhen strukturat drejtuese, do ta diskutojnë, do shohin edhe nga pikëpamja strategjike si do t’i qasen politikisht zgjedhjeve të vitit 2027.
Strukturat drejtuese në këto momente janë në zgjedhje e sipër, në javët në vijim këto ndryshojnë dhe patjetër do diskutojnë këtë problem. Disponibilitetin tim e kanë, por mund të ketë edhe njerëz të tjerë që kanë disponibilitet dhe konkurrojnë”, tha ai.
Ndërkohë, i pyetur në lidhje me kandidaturën e mundshme të Erion Braçe për Bashkinë e Tirana, ai u shpreh se përzgjedhja e kandidatëve është një proces i brendshëm për çdo parti dhe se nuk i takon të komentojë vendimet e rivalëve politikë.
“Kandidati i partisë politike kundërshtare zgjidhet vetë brenda strukturave të tyre. E dinë ata nuk merrem te kjo pjesë.
Janë çështje administrative të brendshme. Ndryshe siç na vjen ndonjëherë se në këtë tavolinë shpesh na vjen çështje si bëjmë ne punët brenda, unë nuk hyj te punët e tjerëve. Ata kanë të drejtën e tyre ta zgjedhin kandidatin si ta mendojnë vetë.”, tha ai.



