Shqipëria është katandisur në fundin e gropës, me fuqinë blerëse më të ulët në Europë, duke mbetur pas edhe Ukrainës që digjet në flakët e luftës prej 4 vjetësh.

Ky grafik në thelb tregon se sa pak mund të blejë një qytetar shqiptar krahasuar me pjesën tjetër të Europës, pra nivelin real të jetesës përtej statistikave të thata. Ndërkohë që dronët Shahed shkatërrojnë Kievin dhe mbarë Ukrainën, paaftësia, papërgjegjshmëria dhe korrupsioni strukturor po shkatërrojnë xhepat e shqiptarëve me një ritëm të ngjashëm. Kjo që po ndodh në Shqipëri nuk është thjesht prapambetje ekonomike, por një tradhti e hapur ndaj interesit publik dhe një dështim historik që na ka katandisur në fundin e Europës.
Ky realitet i dhimbshëm demaskon plotësisht cirkun e shpifur të fasadave dhe makijazhit urban-turistik që ushqen qeverisja jonë. Kemi një kryeministër që në mënyrë patologjike është i dashuruar pas ekzibicionizmit ndërkombëtar, që harxhon kohën dhe energjitë e shtetit duke diskutuar me arkitektë të famshëm dhe projekte luksi ndërsa qytetarët e tij zhyten përditë e më shumë në mjerim.
Ky kontrast mes kullave të larta të dizajnuara nga emra botërorë dhe tryezave bosh të shqiptarëve tregon për një shkëputje totale të liderit dhe elitës politike nga jeta e përditshme. Ndërkohë që propaganda flet për turizëm elitar dhe rritje imagjinare, realiteti është një ekonomi pa prodhim, me një konkurrencë të mbytur nga monopolet dhe me paga që nuk mbulojnë as nevojat bazë të mbijetesës. Rezultati i kësaj politike të orientuar drejt dukjes dhe prestigjit personal të liderit është zbrazja masive e vendit, ku të rinjtë dhe njerëzit më të aftë po ikin me vrap sepse nuk pranojnë të ushqehen me fasada. Shqipëria po kthehet në një guaskë të bukur por të zbrazët, një vend që investon në luksin e jashtëm për të fshehur kalbjen e brendshme.



