Gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë, ka vendosur masën e sigurisë “bllokim i pasaportës” për ndërtuesin Pandeli Carapuli, i njohur si personi që dyshohet se ka ndërtuar “falas” vilën e kryeministrit Edi Rama në Surrel. Vendimi, i kërkuar nga prokurori Julian Xhengo, hedh hije të forta dyshimi mbi lidhjet dhe favorizimet në sektorin e ndërtimit.
Burime për Ma Shqip bëjnë me dije se Carapuli është pjesë e së njëjtës dosje ku u godit edhe drejtori i Inspektoratit të Mjedisit të Tiranës, Rigers Sheqeri, i pezulluar për shpërdorim detyre. Hetimi dyshohet se po zbardh një skemë të mundshme lejimi ndërtimesh pa leje dhe mbrojtjeje institucionale për kompani të caktuara.



