Policia izraelite ka ndaluar hyrjen e Kardinalit Pierbattista Pizzaballa në Kisha e Varrit të Shenjtë, ndërsa ai po shkonte për të kremtuar Meshën e së Dielës së Palmave. Sipas Patriarkanës Latine të Jerusalemit, kardinali dhe përfaqësues të tjerë të lartë kishtarë u ndaluan gjatë rrugës dhe u detyruan të ktheheshin, në një veprim të cilësuar si i pajustifikuar dhe në shkelje të lirisë së besimit.
“Ky episod vendos një precedent serioz dhe nuk respekton ndjeshmërinë e miliarda njerëzve në mbarë botën të cilët, këtë javë, po shikojnë nga Jerusalemi. Parandalimi i hyrjes te Kardinali dhe Kujdestari, të cilët mbajnë përgjegjësinë më të lartë kishtare për Kishën Katolike dhe Vendet e Shenjta përbën një masë qartësisht të paarsyeshme dhe joproporcionale. Ky vendim i nxituar dhe thelbësisht i gabuar, i njollosur nga konsiderata të papërshtatshme, përfaqëson një shkelje ekstreme të parimeve themelore të arsyeshmërisë, lirisë së adhurimit dhe respektit për status quo-në”, njoftoi Patriarkana e Jerusalemit.
Reagime të forta kanë ardhur nga Italia. Kryeministrja Giorgia Meloni e dënoi incidentin, duke e cilësuar si “ofendim për besimtarët dhe për lirinë fetare”. Ndërsa ministri i Jashtëm Antonio Tajani ka thirrur ambasadorin izraelit për sqarime.
Edhe Papa bëri thirrje për solidaritet me të krishterët në Lindjen e Mesme, duke theksuar vështirësitë për të kremtuar ritet e Javës së Madhe në kushtet e konfliktit.



