Prokuroria dërgon për gjykim rrjetin “TIBO”. Si Adnan Mahmuti i mori në besim një gruaje 2.2 milionë euro!

spot_img
Advertisements

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë persona dhe pesë shoqëri tregtare, të akuzuar për një skemë mashtrimi me vlerë 2.2 milionë euro në dëm të një shtetaseje.

Në qendër të hetimeve është shtetasi Adnand Mahmuti, i cili dyshohet se nëpërmjet mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit, ka përfituar shumën prej 2.2 milionë euro nga kallëzuesja.

Paratë, të siguruara nga shitja e një pasurie të paluajtshme, iu dhanë në formë huaje me pretendimin se do të investoheshin në projekte biznesi në fushën e transmetimeve sportive përmes aplikacioneve digjitale.

Sipas Prokurorisë, fondet nuk u përdorën sipas marrëveshjes dhe nuk u kthyen, megjithëse kompanitë e përfshira kishin kapacitete financiare për të shlyer detyrimin.

Hetimet tregojnë se Mahmuti ka shfrytëzuar marrëdhënien e besimit me viktimën dhe pozicionin e tij në disa shoqëri për të realizuar mashtrimin.

Në këtë çështje janë marrë të pandehur edhe Blerina Kapaj, Blerina Kota, Mirela Guri, Mirgen Zaçellari dhe Saimir Gora, të cilët, sipas akuzës, kanë bashkëpunuar në skemë duke penguar kthimin e shumës dhe duke qenë në dijeni të aktivitetit të paligjshëm.

Pjesë e procedimit penal janë edhe pesë shoqëri tregtare: “MAGOWARE” sh.p.k., “OVER SPORT” sh.p.k., “TIBO AL” sh.p.k., “TIBO Communications” sh.p.k. dhe “TIBO” sh.p.k., të cilat dyshohet se janë përdorur për qarkullimin dhe fshehjen e fondeve të përfituara në mënyrë të kundërligjshme.

spot_img

Latest articles

Related articles