Ambasada e SHBA, Hollandeze, Delvina Gas dhe 133 milion lekë detyrime në Tatime

spot_img
Advertisements

Dje ambasada e SHBA dhe ajo Hollandeze i bënë jehonë vizitës së dy diplomatëve tek ambientet e Delvina Gas. Por sot ka dalë një mesele e re.

Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara ka bllokuar shitjen apo tjetërsimin e kuotave të aksioneve dhe pronarëve përfitues, për kompaninë “Delvina Gas”, themeluar prej sipërmarrësit Sokol Meqemeja.

Një ditë pasi u shpall shitja e kompanisë te disa sipërmarrës holandezë (më 25 Mars), Sektori i zbatimit në terren të masave shtrënguese ka vënë në alarm Qendrën Kombëtare të Biznesit, duke kërkuar menjëherë ndalimin e çdo veprimi mbi pronësinë dhe kuotat e kapitalit.

Newsbomb.al ka siguruar vendimin e Drejtorisë së Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara, e cila ka zbuluar nga të dhënat në sistemin informatik tatimot, se tatimpaguesi “Delvina Gas Company” me NIPT: L61416039U dhe administrator Juglerd Ibrahimin, ka detyrime në vlerën e 133 milionë lekëve të vjetra.

Tatimpaguesit të sipërcituar i është dërguar dokumenti “Njoftim për pagimin e detyrimit”, por ai nuk është paguar ende. Këto detyrime tashmë janë bërë objekt i masave shtrënguese në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.

“Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara Rajoni DTM, nëpërmjet kësaj mase kërkon që në Qëndrën Kombëtare të Biznesit të mos lejohet tjetërsim mbi pasuritë dhe të drejtat e tjera pasurore që i perkasin këtij tatimpaguesi si dhe kuotave/aksioneve, deri në shlyerjen e detyrimeve tatimore. Kjo masë vendoset edhe në të gjitha shoqëritë ku tatimpaguesi ka pjesëmarrje në kapital”, thuhet në njoftimin e bashkëngjitur në QKB, për kompaninë e Sokol Meqemesë.

Holandezi që bleu “Delvina Gas Company”

Një vit më parë, pak ditë përpara se të shpallej në kërkim nga Policia e Shtetit, për ndërtimin e një impianti të paligjshëm gazi në pronë publike në Delvinë, Sokol Meqemeja vendosi që të përfshinte si aksioner në bordin e kompanisë “DELVINA GAS” edhe sipërmarrësin holandez Hein Frens.

Më datë 16-07-2025 ai është bërë zotërues i 25% të kuotave të kapitalit, të kompanisë, duke lënë të hapur mundësinë që në të ardhmen t’i rriste ato. Dhe ashtu ka ndodhur.

Të nesërmen e këtij vendimi, të gjitha kompanitë e lidhura me “DELVINA GAS” dhe që figuronin si pronar indirekt juridik, janë larguar nga bordi dhe në të njëjtën kohë është bërë zbritja e kuotave të kapitalit të Sokol Meqemesë në 75%.

Të mërkurën, më 25 Mars është larguar fare nga drejtimi i kompanisë që zotëron centralin e gazit në Delvinë dhe kuotat e kapitalit kanë kaluar 100% në pronësi të shtetasit holandez Hein Frens. Një vit më parë ai kishte blerë 25%, raporton newsbomb.al.

Hein Frens ka lindur në korrik të vitit 1964 në qytetin e Nunspeet në Holandë, aty dhe ku është rritur, si i katërti nga gjashtë vëllezër dhe motra sipërmarrëse. Sot, ai është baba i 4 djemve.

Ai deklaron se ka përfunduar një MBO (arsim profesional të mesëm) në Inxhinieri Mekanike dhe menjëherë pas kësaj ka hapur dhe shitur disa kompani, duke e nisur me një kompani për shitjen e makinave në Holandë dhe më pas si eksportues i tyre në Evropën Lindore.

spot_img

Latest articles

Related articles