Nuk u njihen titujt, pedagogët e Arteve në protestë: Duam përgjigje financiare

spot_img
Advertisements


Pedagogët e Universitetit të Arteve kanë paralajmëruar bojkot të procesit mësimor, duke kërkuar njohjen e titujve të rinj akademikë, të cilët sipas tyre nuk po gjejnë zbatim që prej vitit 2021, kur universiteti fitoi status të veçantë si institucion i arsimit të lartë me profil artistik.

Në mbështetje të tyre është rreshtuar edhe sindikata e pedagogëve.

Kryetari i sindikatës, Sander Kovaçi, u shpreh për edicionin e lajmeve në “MCN TV” se nëse nuk njihen këta tituj, rrezikohet cilësia akademike dhe vetë funksionimi normal i institucionit.

Pedagogët theksojnë se prej më shumë se dy vitesh nuk kanë marrë një përgjigje të qartë nga institucionet përgjegjëse, duke e cilësuar situatën të tejzgjatur dhe të papranueshme.

Sipas tyre, kjo gjendje ndikon drejtpërdrejt në standardet dhe funksionimin e Universitetit të Arteve.

Në vitin 2024, Senati Akademik i Universitetit të Arteve miratoi vendimet për promovimin akademik të stafit, duke i dhënë një pjese të pedagogëve tituj të rinj, përfshirë “Profesor i Asociuar në Arte”.

Megjithatë, thotë Kovaçi, këto vendime nuk janë zbatuar as në aspektin financiar dhe as në atë administrativ.

Pedagogët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e këtyre vendimeve, duke e cilësuar këtë çështje thelbësore për funksionimin dhe zhvillimin e universitetit.

Ata theksojnë se problemi nuk lidhet vetëm me pagat, por me standardet akademike dhe trajtimin e barabartë të universiteteve artistike me institucionet e tjera të arsimit të lartë.

Sipas tyre, fusha e arteve ka specifika të veçanta dhe kërkon kritere të përshtatura, përfshirë një numër të caktuar profesorësh dhe profesorësh të asociuar, në mënyrë që të ruhet cilësia dhe standardi akademik.

Pedagogët do ta vijojnë këtë betejë dhe paralajmërojnë bojkot të mësimit deri në marrjen e një zgjidhjeje konkrete.

spot_img

Latest articles

Related articles