Paraja nuk ka ngjyrë, aq më tepër në politikë! Ligjvënësit shqiptarë, pavarësisht se kujt partie i përkasin, mazhorancës, opozitës apo edhe partitë e vogla, shfrytëzojnë çdo nen të ligjit për “statusin e deputetit” për të marrë edhe qindarkat.
Por, sa paguhen dhe çfarë përfitimesh kanë deputetët në Shqipëri?
Fiks Fare ka hulumtuar dokumentet zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, për pagat dhe përfitimet, të muajve tetor, nëntor e dhjetor 2025 si dhe të muajit janar 2026. Krahas pagës, e cila është 310 mijë lekë, deputetët marrin edhe përfitime të tjera.
Ata marrin rimbursim për karburant, në masën 40 mijë lekë. Rimbursim për shpenzime telefonie, në masën 17 deri në 20 mijë lekë. Gjithashtu, marrin dieta për udhëtimet brenda vendit, shuma të cilat shkojnë në disa raste, deri në 170 apo 190 mijë lekë në muaj.
Marrin honorarë për mbledhjet e komisioneve të përhershme, nën – komisioneve, në shuma që shkojnë deri në 30 mijë lekë. Një tjetër pagesë që përfitojnë është edhe rimbursim për qira banese, një shumë nga 35 deri 40 mijë lekë në muaj. Në disa raste, deputetë të caktuar, marrin edhe rimbursim fature hoteli për udhëtimet që kryejnë brenda apo jashtë Shqipërisë.
Disa prej deputetëve, të rinjtë kryesisht, kanë të drejtën që të pajisen me pasaportë diplomatike, në bazë të ligjit. Ndërkohë, ata i kanë kërkuar që të rimbursohen për pagesën e kuponit të pasaportës, në shumën e 7.500 lekëve. Janë rimbursuar rioshët apo disa deputetë të rizgjedhur.
Sipas hulumtimeve të Fiks Fare, nga muaji tetor 2025 deri në janar 2026, janë rimbursuar 27 deputetë të rinj me shumën e 7.500 lekëve. Janë deputetë të mazhorancës qeverisëse, si Zegjine Çaushi, Sara Mile, Iris Luarasi etj, apo edhe deputetë të PD-së Arian Ndoja, Enno Bozdo e Gent Strazimiri.
Nga hulumtimi rezultoi se, krahas rrogës që u shkon neto në vlerën e 225 mijë lekëve, deputetët arrijnë të marrin të njëjtën shumë me dieta dhe honorarë. Sipas dokumenteve zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, në muajin tetor të vitit 2025, buxheti i shtetit u pagoi deputetëve 29 milionë lekë paga dhe rreth 22 milionë përfitime.
Në muajin nëntor të po atij viti, pagat ishin në të njëjtin nivel, 29 milionë, ndërkohë që përfitimet ishin rreth 24 milionë. Në dhjetor përfitimet u ulën në rreth 16 milionë lekë dhe pagat në nivelin e 29 milionëve. Nëse në dhjetor kursyen arkën e shtetit, përfitimet në janar kapën shifrën e 28 milionëve, ndërsa pagat ishin në vlerën e 29 milionëve.
Me këto shifra, deputetët arritën që të përfitojnë nga 90 deri në 100 % të pagës vetëm nga të mirat që iu jep ligji! Në vitin 2025, sipas një raporti të brendshëm, Kuvendi i Shqipërisë ka pasur një buxhet rreth 2 miliardë lekë, ose rreth 20 milionë euro!



