Pak ditë më parë këshilltari i parë i zv.kryeministres, Alfred Muharremi – Kika deklaroi gjatë një emisioni televiziv se shëndetësia në 2013 ishte si mos më keq dhe se reformat e qeverive Rama, I, II, III dhe IV, e kanë transformuar. Nuk ka vonuar kundërpërgjigjura e ish ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
Nga Petrit Vasili
Janë jo të paktë megafonët e gojëshqyer të Edi Ramës, që flasin si papagallë për shëndetësinë pa ditur dhe pa kuptuar asgjë. Kanë kurajo të bëjnë edhe krahasime të saj dje dhe sot.
Shikojini këta papagallë bajatë, që recitojnë vjersha idiote propagande. Dhe kush, pa? Po këta që premtuan mashtrimin më të madh në histori, me Shëndetësinë Falas, që nuk e bënë kurrë, por vetëm e plaçkitën shëndetësinë me koncesione e korrupsion dhe i lanë njerëzit në mëshirë të fatit edhe gjatë pandemisë.
Për publikun shqiptar dhe jo për këta papagallë bajatë, ja edhe disa të vërteta të pakundërshtueshme për shëndetësinë, që morën këta në 2013:
🔴 U arrit vdekshmëria foshnjore dhe amtare njëshifrore dhe u certifikua nga OBSH në Tiranë në qershor të vitit 2012 nga Drejtorja e OBSH, Suzane Jakab.
🔴 U përballua pandemia e gripit të derrit H1N1 dhe u promovua si histori e veçantë suksesi në rajon dhe më gjerë nga OBSH, për numrin më të ulët të vdekjeve.
🔴 U arritën nivele absolutisht shumë të larta të vaksinimit, 99%, ndaj Shqipëria si vend lider u promovua nga princesha Matilde e Belgjikës dhe OBSH.
🔴 Shndërrimi rrënjësor i teknologjive më të avancuara mjekësore dhe u pajis me skaner çdo qark i vendit nga jugu në veri, plus Lushnja dhe Saranda brenda vitit 2012.
🔴 U instalua sistemi i referimit për herë të parë dhe me sukses të plotë, që i jepte fund kaosit në QSUT, radhëve të gjata dhe sorollatjeve të mijëra pacientëve nga të gjitha anët e vendit.
🔴 Për aksesin më të shpejtë për shërbim shëndetësor, Shqipëria në vitin 2012 renditej ndër katër vendet e para në Europë.
🔴 Ligji bazë i Sistemit Shëndetësor, sipas modelit gjerman, që hyri në fuqi në 2012, ligj që është edhe sot në fuqi me formulën buxhet shteti plus sigurime shëndetësore dhe që bëri pluhur e hi mashtrimin e Ramës me Shëndetësinë Falas.
🔴 Dhurimi i gjakut – Shqipëria histori suksesi sipas vetë OBSH, ku u përmbys situata e mëparshme duke dhënë prioritet absolut dhurimit vullnetar.
🔴 Digjitalizimi i shëndetësisë, një projekt me qeverinë e Austrisë me vlerë 14 milionë euro, tenderimi i të cilit përfundoi në 2012 dhe u pengua nga Rilindja.
🔴 U ngritën spitali modern i urgjencës në QSUT me dy katet shtesë për kirurgjinë, reparti i djegie-plastikës, neurokirurgjia, spitali obstetrik-gjinekologjik i ri në Elbasan, hoteleria e spitalit të Shkodrës, projekti i spitalit të neurologjisë, qendra e re kundër drogës në QSUT.
🔴 U ngrit Qendra Kombëtare e Tele-mjekësisë, që filloi aplikimin me rastin e përmbytjeve të vitit 2010.
🔴 Sistemi i reformës në shëndetësi u referua nga OBSH si histori suksesi edhe në vizitën e vitit 2012 të Drejtores së OBSH për Europën, Suzan Jakab.
🔴 U ngrit hemodializa pediatrike për herë të parë në historinë e vendit tonë.
🔴 U kryen për herë të parë ndërhyrjet për implantin koklear te fëmijët, të mbështetura nga qeveria shqiptare.
🔴 U krye për herë të parë transplanti i veshkës në QSUT.
🔴 U firmos për herë të parë marrëveshja me Qendrën Kombëtare të Transplanteve në Itali.
🔴 U firmos marrëveshja me Spitalin Gemelli, më i madhi dhe më ekselenti në Itali, si dhe me Universitetin Sacro Cuore.
🔴 U realizua blerja për herë të parë e akseleratorëve linearë në Shqipëri, që në vitin 2012.
🔴 U realizua strategjia e parë dhjetëvjeçare për kontrollin e sëmundjeve onkologjike me ekspertë të nivelit botëror.
🔴 U realizuan për herë të parë protokolli dhe udhërrëfyesi për kontrollin e infeksioneve spitalore dhe u ngrit sektori përkatës në QSUT.
🔴 U ngrit për herë të parë laboratori virologjik në ISHP me standard europian tepër të lartë, i certifikuar nga OBSH, që vuri në kontroll situatën për pandeminë e gripit të derrit H1N1; laborator që u përdor edhe për pandeminë e Covid-19, duke bërë që Shqipëria të mos ishte më e varur nga laboratorët e huaj.
🔴 U ngrit reanimacioni i Infektivit, që u përdor intensivisht edhe gjatë pandemisë së Covid-19.
🔴 U pajis për herë të parë QSUT me Gama Camera për kancerin e tiroides në bashkëpunim me Agjencinë e Energjisë Atomike në Vjenë.
🔴 U bë hartimi dhe miratimi për herë të parë i protokolleve dhe udhërrëfyesve klinikë.
🔴 U ngrit për herë të parë Qendra e Akreditimit të strukturave mjekësore.
🔴 U hodhën themelet e edukimit në vazhdim dhe u ngrit Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim dhe sistemi i krediteve në sistemin shëndetësor.
🔴 Në vitin 2013 u arrit thuajse zero kontrabanda e ilaçeve.
🔴 U ngrit për herë të parë sistemi i farmakovigjilencës për evidentimin e barnave me efekte anësore.
🔴 Në tregun e barnave kishte mbi 4200 alternativa nga më pak se 1700 sot, si edhe ishin prezent të gjitha kompanitë më prestigjioze të barnave cilësore, të cilat u larguan me ardhjen e Ramës dhe shkatërrimin e ligjit të barnave.
🔴 Decentralizimi i shërbimit shëndetësor filloi me decentralizimin e blerjes së barnave, duke hequr të gjitha fondet dhe procedurat e prokurimit të barnave nga Ministria e Shëndetësisë dhe duke ua dhënë që të gjitha fondet për barnat për t’i prokuruar në mënyrë krejtësisht të pavarur vetë spitaleve të vendit, krejt ndryshe nga Rilindja që i ka në Ministrinë e Shëndetësisë.
🔴 Decentralizimi u shtri edhe në të gjitha qendrat shëndetësore të kujdesit parësor anë e mbanë vendit, të cilat funksiononin të pavarura me llogari më vete.
🔴 Emërimet e personelit në kujdesin parësor u decentralizuan në rrethe, ku drejtuesit e shëndetësisë dhe drejtuesit e pushtetit lokal vendosnin bashkërisht, pavarësisht forcës politike që zotëronte bashkinë apo komunën, ndërsa Rilindja e asgjësoi edhe këtë.
PËRFUNDIM:
Çdo injorant papagall i Ramës, që flet për shëndetësinë, të kujtojë se sot shqiptarët paguajnë sipas OBSH 60% të parave nga xhepi për shëndetin, më shumë se çdo vend në Ballkan dhe në Europë, nga 38% që e gjetën, megjithëse këta mashtrues premtuan shëndetësi falas.
Asnjë, po asnjë fare nga treguesit që gjetën në 2013 nuk e përmirësuan, por vetëm i përkeqësuan.
Çdo injorant papagall i Ramës, përpara se të flasë se si e gjetën shëndetësinë në 2013, të kujtojë se si mashtruan shqiptarët me Shëndetësinë Falas dhe të qepë gojën.
Fakti është që sot shëndetësia është në det të hapur pa busull e pa kompas, pra pa asnjë ekuilibër, pa shtylla mbajtëse, pa vizion, pa financim, që thjesht dhe vetëm improvizon sipas propagandës së ditës, që i duhet Edi Ramës jo për të zgjidhur hallet, por për të mbushur televizionet e paguara prej tij.
Papagallët e një shkollëpaku si Edi Rama vetëm provojnë injorancën, padijen e tyre, por edhe urrejtjen që ata kanë për njerëzit e thjeshtë, që edhe i plaçkisin, edhe vazhdojnë t’i gënjejnë e të përpiqen t’i ngopin me lugën bosh të narkopropagandës së Edi Ramës, duke i lënë në mëshirë të fatit.



