Jemi dëshmitarë të batërdisë!
Vlora sot nuk është më qyteti që kemi njohur, punuar dhe dashur.
Mes rrënimit të industrisë, biznesit që po jep shpirt, zbrazjes së frikshme të qytetit nga të rinjtë, njërëzve të stresuar, turizmit pa infrastrukturë dhe arsimit në agoni, Vlora po shndërrohet në një qytet fantazëm pa kujtesë dhe pa identitet.
Kjo nuk është rastësi është e qëllimshme.
Kjo është pasojë e politikave shkatërruese, keqqeverisjes dhe korrupsionit që për vite e vite me radhë kanë sunduar mbi Vlorën.
Zonat historike të qytetit nuk janë më siç i kanë njohur brezat e vlonjatëve.
Në vend të zhvillimit të menduar dhe respektit për historinë, Vlora ka parë ndërtime pa kriter, beton pa vizion dhe zhdukje të kujtesës historike.
Nuk kam qenë asnjëherë kurrë kundër zhvillimit, madje jam promotor i tij, por zhvillimi nuk mund të bëhet duke shkatërruar identitetin e qytetit.
Dhe pikërisht ky qytet është trajtuar nga qeveria dhe akoma më shumë bashkia si një territor për interesa politike dhe klienteliste, jo si një pasuri kombëtare që duhet mbrojtur.
Sot Vlora po humb betejën me trashëgiminë e saj.
Të huajve dhe fëmijëve tanë kemi gjithnjë e më pak për t’u treguar, sepse kujtesa historike është zëvendësuar me beton,kaos dhe projekte pa shpirt.
Kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e atyre që kanë dhe kanë pasur pushtetin dhe vendimmarrjen mbi këtë qytet.
Por Vlora nuk janë vetëm sheshet e krijuar se fundmi rrugët pa kuptim dhe ndërtesat.
Vlora janë njerëzit dhe historia e saj.
Dhe sot shumë prej tyre janë të lodhur, të zhgënjyer dhe të mpirë nga një realitet ku korrupsioni, militantizmi partiak dhe paaftësia kronike janë kthyer në rregull dhe kulturë.
Nuk u kërkohet llogari atyre që e kanë qeverisur qytetin për vite me radhë.
Nuk u kërkohet llogari për zbrazjen e Vlorës nga të rinjtë.
Nuk u kërkohet llogari për shkatërrimin pa kriter.
Nuk u kërkohet llogari për korrupsionin dhe për lidhjet e politikës qëndrore dhe lokale me interesa mafioze.
Rilindasit që kanë qeverisur Vlorën këto 13 vite nuk mund të flasin për dinjitet, kur vetë qyteti është trajtuar pa dinjitet.
Nuk mund të flasin për zhvillim, kur qyteti po humb identitetin dhe njerëzit po e braktisin.
Në këtë situatë, përfitues nuk janë qytetarët.
Përfitues janë vetëm klanet e interesave dhe grupet e lidhura me politikën, që për vite me radhë kanë përdorur dhe manipuluar Vlorën për pushtet dhe përfitim.
Prandaj sot Vlora nuk ka nevojë për heshtje dhe as për reagime të vakëta në rrjete sociale.
Vlora ka nevojë për revoltë qytetare kundër arrogancës së pushtetit, korrupsionit dhe shkatërrimit të identitetit të saj.
Sepse një qytet që hesht përballë padrejtësisë, rrezikon të humbasë jo vetëm të ardhmen, por edhe historinë e tij.
Vlora nuk është pronë e qeverisë, nuk është laborator për eksperimente politike dhe as vegël për pastrimin e xhepit të klientëve të saj.



