Pse konflikti me Iranin nuk do të zgjasë shumë – ANALIZA

spot_img
Advertisements

Red Varaku

Lufta mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit mund të përfundojë relativisht shpejt për shkak të disa faktorëve strategjikë dhe operacionalë që e bëjnë të vështirë vazhdimin e saj për një periudhë të gjatë.

Dy arsye kryesore duket se përcaktojnë këtë perspektivë, impasi ushtarak dhe kostoja shumë e lartë ekonomike e një konflikti të zgjatur.

Së pari, konflikti duket se po hyn në një impas strategjik. Deri tani nuk ka shenja se Shtetet e Bashkuara kanë arritur të prodhojnë një lëvizje të brendshme në Iran që do të mund të çonte në destabilizimin ose përmbysjen e regjimit.

Një nga skenarët e përfolur ishte aktivizimi i faktorëve etnikë, veçanërisht i kurdëve, kundër regjimit iranian. Megjithatë, kjo strategji duket se po has në vështirësi serioze.

Aktivizimi i kurdëve do të përbënte një hap të ndjeshëm gjeopolitik dhe potencialisht të papranueshëm për Turqinë, e cila e konsideron çdo fuqizim të kurdëve në rajon si kërcënim për sigurinë e saj kombëtare.

Për rrjedhojë, kjo rrugë duket se nuk ofron një zgjidhje reale për ndryshimin e regjimit në Teheran.

Nga ana tjetër, opsioni ushtarak aktual i SHBA-së duket i kufizuar kryesisht në operacione ajrore dhe detare. Një fushatë e tillë mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme në infrastrukturën ushtarake iraniane, por historikisht është e vështirë që vetëm përmes bombardimeve të arrihet ndryshimi i një regjimi politik.

Për më tepër, kapacitetet ushtarake që SHBA ka aktualisht të dislokuara në rajon nuk duken të mjaftueshme për të mbështetur një ofensivë intensive për një periudhë shumë të gjatë.

Në këtë kontekst, një fushatë prej rreth katër javësh, afërsisht sa është përmendur edhe në deklarime politike, mund të përfaqësojë kufirin realist të operacioneve pa një zgjerim të madh të pranisë ushtarake amerikane.

Arsyeja e dytë lidhet me koston ekonomike dhe gjeopolitike të një konflikti të zgjatur. Një përshkallëzim i luftës rrezikon të përfshijë vendet e Gjirit Persik, të cilat janë ndër prodhuesit më të mëdhenj të naftës dhe gazit në botë.

Nëse konflikti do të përhapej në këtë rajon, ai do të kërcënonte drejtpërdrejt stabilitetin e tregjeve globale të energjisë.

Veçanërisht kritike është Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë. Çdo destabilizim i këtij korridori do të kishte pasoja të menjëhershme dhe të rënda për ekonominë globale.

Në një situatë të tillë, vazhdimi i konfliktit mund të prodhonte kosto më të mëdha sesa përfitimet strategjike që synohen. Me fjalë të tjera, “kura” mund të rezultojë më e dëmshme se vetë “sëmundja”. Një luftë e zgjatur në këtë rajon do të rrezikonte të krijonte një krizë energjetike globale dhe të shkaktonte pasoja të mëdha ekonomike për shumë vende, përfshirë edhe vetë aleatët perëndimorë.

Për këtë arsye, mundësitë janë që pas një periudhe relativisht të shkurtër operacionesh ushtarake, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të përpiqen ta shpallin ndërhyrjen si të suksesshme duke deklaruar si neutralizimin e programit bërthamor ashtu dhe asgjësimin e kapaciteteve balistike të Iranit.

Një deklaratë e tillë do të shërbente si bazë politike dhe strategjike për të ndërprerë ofensivën dhe për të shpallur përfundimin e operacioneve.

Në këtë skenar, rezultati do të mund të interpretohej si një fitore taktike, në kuptimin e dëmtimit të kapaciteteve ushtarake iraniane, por jo domosdoshmërisht si një fitore strategjike afatgjatë.

Megjithatë, një deklarim i tillë do të mundësonte mbylljen e konfliktit dhe shmangien e një përshkallëzimi më të gjerë rajonal me pasoja potencialisht shumë më të rënda.

spot_img

Latest articles

Related articles