“O Zot, ndriçoji liderët e kombeve, që të kenë guximin të braktisin projektet e vdekjes”. Është një lutje urgjente, që përshkon ndërgjegjet e atyre që kanë në dorë fatet e botës në një epokë të shënuar nga tensionet dhe riarmatimet; ky është ndjeti i lutjes që Papa Leoni XIV kërkon për muajin mars. I përhapur përmes Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, në bashkëpunim me Dikasterin e Vatikanit për Komunikimin, ky është një apel për të gjetur guximin për t’i dhënë fund garës së armatimeve, në mënyrë që “kërcënimi bërthamor” të mos kushtëzojë “kurrë më” të ardhmen e botës: siguria e vërtetë nuk lind nga ekuilibri i terrorit, por nga besimi që ndërtohet, nga drejtësia që praktikohet dhe nga solidariteti që bashkon popujt.
Froni papnor në gjurmët e paqes
Paqja është ndër elementët frymëzues të papnisë së Leonit XIV dhe përfaqëson, në të njëjtën kohë, një pikë takimi (trait d’union) me paraardhësin e tij, Françeskun. Që nga bekimi i parë Urbi et Orbi, në ditën e zgjedhjes së tij në fronin papnor, Leoni XIV pati kërkuar një paqe “të çarmatosur dhe çarmatosëse”. Papa Bergoglio, nga ana e tij, i pati kushtuar “promovimit të paqes në botë” ndjetin e lutjes së janarit 2020 dhe, në prill 2023, pati ftuar në lutje “për një kulturë të jodhunës”.
Heqja dorë nga armët
Në video e audio mesazhin — që vijon nismën “Lutu me Papën”, të filluar pikërisht me Françeskun, në italisht, anglisht dhe spanjisht — Leoni XIV lutet që popujt “të heqin dorë nga armët dhe të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të diplomacisë”. Zëri i Papës ngrihet në një kontekst global të shënuar nga një rritje e shpenzimeve ushtarake që nuk njeh ngadalësim. Të dhënat e Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI) tregojnë se në vitin 2024 ato u rritën për të dhjetin vit radhazi në nivel global, duke arritur në 2,7 miliardë dollarë, me një rritje prej 9,4% krahasuar me vitin paraardhës. Si rrjedhojë, pesha ushtarake globale, pra shpenzimi në raport me produktin e brendshëm bruto botëror, u rrit në 2,5%.
Dialogu dhe diplomacia
Papa thotë lutjen duke mbajtur në duar një degë ulliri, simboli par excellence i paqes. Në qendër të lutjes së Leonit XIV është kërkesa për një bashkësi të ripërtërirë mes popujve:
Sot lartësojmë lutjen tonë për paqen në botë, duke kërkuar që kombet të heqin dorë nga armët dhe të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të diplomacisë.
Çdo gjest, farë e një bote të re
Secili është thirrur të çarmatosë zemrat “nga urrejtja, mëria dhe indiferenca, që të mund të bëhemi mjete pajtimi”.
O Shpirti Shenjt, na bëj ndërtues besnikë dhe krijues të paqes së përditshme: në zemrat tona, në familjet tona, në bashkësitë tona dhe në qytetet tona. Qoftë çdo fjalë e mirë, çdo gjest pajtimi dhe çdo zgjedhje për dialog një farë e një bote të re.



