Ministri në ikje i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka firmosur këtë të enjte një urdhër për ndërmarrjen e masave disiplinore tre noterëve dhe dy ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme.
Këto janë gjobat e para të vendosura ndaj ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme, për të cilët Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar një verifikim të plotë të aktiviteteve të tyre në qytetin e Tiranës. Ata akuzohen se kanë vepruar në shkelje të ligjit dhe në dëm të qytetarëve me procedurat që kanë ndjekur.
Konkretisht ndaj noterit J.Gj në Devoll u dha masa “vërejtje me paralajmërim për heqje licence” dhe gjobë në vlerën 500.000 lekë të reja. Fillimi i hetimit disiplinor ndaj noterit nisi pas denoncimit në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan.
Ndaj noteres V.D në Fier është dhënë masë “vërejtje me paralajmërim për heqje licence” dhe gjobë 500.000 lekë të reja.
Për noteren M.V në Tiranë është dhënë masa “vërejtje”.
Veç tre noterëve, ministri Besfort Lamallari ka firmosur masë me gjobë ndaj dy ndërmjetësve të licencuar të pasurive të paluajtshme në Tiranë, me vlerë përkatësisht 100.000 lekë të reja dhe 50.000 lekë të reja.
Ministria e Drejtësisë thotë se do të vijojë kontrollet dhe masat disiplinore ndaj çdo shkeljeje të konstatuar apo të denoncuar nga qytetarët dhe mediat, me qëllim garantimin e standardeve ligjore dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve në shërbimet noteriale.
Ky është dhe vendimi i fundit i Besfort Lamallarit si garantor i zbatimit të ligjit, pasi nga sot Ministria e Drejtësisë do të ketë drejtues të ri Toni Gogun, kurse Lamallari vetë do të rikthehet në Ministrinë e Brendshme. Këtë herë, jo si zëvendës por ministër.



