Mjekja neurologe, Olta Ramaj, u shpreh në emisionin “Shqipëria Live” me moderatoren Sidorela Gjoni se te shqiptarët kohët e fundit ka një rritje të interesimit për shëndetin mendor, por nuk ka njohje të thella për këto patologji.
“Shqiptarët kohët e fundit kanë një rritje të interesimit për shëndetin e trurit, për trurin dhe për mendjen le ta themi kështu. Informacioni kohët e fundit është bërë më i aksesueshëm, por ajo që vëmë re është se nuk është një kulturë dhe njohje të thella të instaluara te shqiptarët, dhe kjo bën që pacientët të drejtohen atëherë kur mund të jetë shumë vonë ose të drejtohen kur në vendin jo të duhur. Pra, këto patologji trajtohen qoftë nga mjeku neurolog, qoftë nga mjeku psikiatër, sigurisht me ndihmën edhe të psikologut edhe më gjerë. Janë patologji që duan një trajtim multidisiplinar”, u shpreh mjekja neurologe, Olta Ramaj.
Lidhur me momentin e duhur se kur duhet të drejtohemi te mjeku specialist për patologji të tilla, ajo thotë se ka një shtyrje nga pacientët.
“Një njeri patjetër që mund ta kuptojë vetë momentin, por përgjithësisht dhe sidomos kur flasim për vendin tonë, ndonjëherë kjo merret për dobësi. Pra deficitet, problemet e kondicionit, problemet psikiatrike, psikozat, apo dhe deficite të tjera, merren ndonjëherë si dobësi dhe kjo bën që të shtyhet drejtimi drejt mjekut specialist”, vijon më tej mjekja.
Por sa e njohin shqiptarët depresionin dhe çfarë është depresioni, nga se vjen?
Mjekja Ramaj thotë se njihet pak depresioni nga shqiptarët.
“Shqiptarët përpiqen që të bëjnë sikur e njohin edhe më shumë seç realisht e njohin. Sepse nëse do ta njihnin vërtet, nuk do të kishim këto vonesa, dhe këto problemet që po diskutojmë. Si mjeke neurologe dua të them që është e nevojshme për një vlerësim të detajuar të pacientëve për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me një depresion primar, apo të jenë probleme të sferës neurologjike, të cilat në një stad të caktuar komplikohen me depresion ose ka dhe disa patologji si demenca, Parkinsoni etj, që në fillimet e tyre bëjnë një luhatje të humorit dhe duhet pak kohë për të kuptuar nëse janë problem depresioni apo këto problemet neurodegjenerative. Në këto kushte duhet tu kushtojmë vëmendje pacientëve dhe të mos neglizhojmë historikun e tyre, qoftë personale, qoftë familjare”.
Më tej, ajo thotë se patologji të tilla kërkojnë shumë durim nga pacientët deri në momentin që mjekimet apo terapitë të japin efektin e duhur.
“Këshilla që do të jap është që durimi është çelësi i suksesit,. Për patologji të cilat prekin sistemin nervor, dhe atë mendor, pacientët që mund të kenë pritur për një kohë të gjatë, pra ankohen me vite derisa drejtohen te mjeku i duhur, nuk u kushton gjë që të presin edhe disa javë derisa skema e trajtimit nga mjeku qoftë me medikamente qoftë me terapi të japë efektin dhe pacienti të fitojë besimin te vetja te mjeku, te shoqëria. Mendoj që është një punë e gjithë shoqërisë”, përfundon mjekja neurologe.



