Riformatimi i qeverisë si mekanizëm akumulimi pushteti – ANALIZA

spot_img
Advertisements

Roland Lami

Riformatimi i qeverisë sipas shijeve të kryeministrit nuk është thjesht teknikë administrative por është një akt estetik i pushtetit. Nëse qeveria trajtohet si instalacion që rikonfigurohet periodikisht, atëherë ministrat nuk janë më bartës autonomë të kapitalit politik, por objekte të zëvendësueshme në një kompozim që rrotullohen rreth njëshit.
Në këtë logjikë, “numri dy” është rrezik sepse imponon pluralitet brenda partisë si dhe hirarki. Kështu që eliminimi politik i figurave të perceptuar brenda dhe jashtë partisë si numri dy, tre apo katër mundëson një hapësirë ku hierarkia ekziston formalisht pasi ajo ripërtërihet vazhdimisht por nuk stabilizo alternativa pushteti përvec njëshit.Kjo është një formë moderne e monizmit politik ku përvec njëshit të gjithë të tjerët akumulojnë pushtet të përkohshëm për të mos thënë iu krijohet iluzioni sikur e kanë.
Nga një këndvështrim foucault-ian kemi të bëjmë me disiplinim përmes pasigurisë. Riformatimi periodik prodhon një klimë ku askush nuk konsolidohet mjaftueshëm për të krijuar peshë të pavarur në raport me kryeministrin. Ministri ideal bëhet ai që është teknikisht i aftë, por politikisht i pa peshë, me profil publik të kontrolluar dhe me varësi vertikale të plotë. Partia kështu transformohet nga organizëm me gravitet të brendshëm në rrjet orbitash rreth një qendre.
Filozofikisht, ky model mishëron idenë e sovranitetit të përqendruar që e përthith pluralizmin brenda vetes. Mirëpo kur “numrat” në nivel hirarkik zhvendosen në nivel horizontal zhduket edhe mundësia e trashëgimisë politike.
Partia bëhet funksion i liderit, jo strukturë që e tejkalon atë. Ai dhe partia janë një aq sa krijohet përshtypja që me vdekje politike të tij vdes edhe partia. A nuk ka ndodhur kjo te Partia Demokratike ?
Kështu që, ky riformatim i qeverisë nuk është një ndërrim emrash apo rolesh por një mënyrë për të mbajtur gjithçka nën kontroll si dhe për të mos lejuar që brenda PS të krijohen figura me peshë dhe të pavarur nga njëshi. Në thelb mesazhi është i qartë, pushteti nuk duhet të shpërndahet por të qëndrojë i përqëndruar. Cdo riformatim shërben për ta riprodhuar këtë realitet.
Sigurisht,e gjitha kjo shitet në publik si nevojë për energji të reja apo reagim ndaj pakënaqësisë popullore akoma më larg si ndryshim që e dikton BE. Mirëpo ky është justifikimi, thelbi është nevoja për të mos shpërndarë fuqi dhe pushtet.

spot_img

Latest articles

Related articles