Mos na lodhni me ketë “Vilën e Enverit” – nga Indrit Vokshi

spot_img
Advertisements

Për 3 mandate ka qeverisur PD-SB. Ka pasur kohë dhe mundësi për ta kthyer atë vilë në muze të krimit komunist ku do të pasqyrohej veprimtaria diktatoriale-kriminale e atij regjimi. Nuk e kanë bërë. As atë, as Spaçin, as Tepelenën. Pushteti “i djathtë” pra.

E sot harrojnë që me qëllim nuk i ka bërë. Na shesin përralla anti-diktaturë.

Harrojnë që në atë vilë Sali Berisha ka foto të rinisë për të cilat siç vetë e ka pranuar, ka qenë në ditëlindjen e djalit të Enverit, Sokol Hoxhës. Tani na dërdëllisin kot dhe thonë; pamje e bukur, zjarr mbi vilën e diktatorit, akt simbolik kundër diktaturës enveriane etj.

I thonë këto duke ndjekur politikanin i cili ka foto argëtuese aty brenda dhe, sot në skenën politike është i vetmi politikan i cili e mban mend atë vilë me diktator gjallë, me diktator që ecën nëpër koridore, sepse ai diktator ka qenë babai i shokut të tij, Sokol Hoxhës. E pranuar nga vetë ai tek Fevziu. Dmth i ka gjuajtur molotiv ish shtëpisë së shokut. Jo ish shokut, shokut. Thjesht ish shtëpisë.

E prapëseprapë vetë Sali Berisha i poshtëroi këta ndjekësit e tij që thonë ashtu, sepse doli e deklaroi se nuk kishte qëllim zjarrin tek ajo shtëpi, as si akt simbolik por, i kishin mashtruar, iu kishin thënë se në atë vilë strehohet Edi Rama. Dhe ata të cilët nuk gjuajnë as gjysëm guri pa urdhër por, gjuajnë vetëm kur udhëheqësi mbaron fjalimin, kishin gjuajtur pa urdhër, prej urrejtjes së madhe për diktaturën. Vila ka 30 vjet aty dhe askush nga këta të zemëruarit me diktaturën nuk ia ka thyer një xham, as si akt simbolik.

Dje kur i nevojitej për tu bërë lajm sepse pjesëmarrja ishte përgjysmuar, vendosi të bëhet lajm me molotov, ish shtëpisë së ish diktatorit, babit të shokut të vet dhe, njëkohësisht, kryetarit të ish partisë së vet (PPSH) ku ka qenë anëtar dhe sekretar.

Ajo shtëpi sot ska asnjë simbol e asgjë që të kujton diktaturë, madje shërben si qendër për një organizatë kulturore franceze. Media po ia jep kënaqësinë po e bën lajm aktin e molotovit. Edhe ne po merremi me aktin e tij, me vetëdije të plotë. Nesër mund t’i gjuajnë ndonjë makine të zezë ta djegin, me të njejtin justifikim, se u mashtruam, na thanë se në atë makinë udhëtonte diktatori Edvin Kristaq Rama. Edvinin e kanë në parlament e nuk është se po fshihet diku por, fabula na do se ai, Edvini, është i tmerruar dhe nuk fle në shtëpinë e vet, as lëviz me makinën e vet, prej tmerrit nga uragani blu.

Tani edhe e inskenojnë vetë ketë me vilën e Enverit, edhe e kanë gati përgjigjjen për cilindo: “Iu dhimbset vila e diktatorit ju”. Na dhimbset ne? Vila e Enverit mund t’i dhimbset veç ndonjërit që ka kujtime të bukura rinie në atë vilë, ngat oxhakut. Ne na dhimbset ndonjëherë veç vetja; na dhimbset se jetojmë midis njerëzve të cilët hipokrizinë, rrenën, skemat, injorancën, i kanë si mjete parësore të veprimit.

Njerëzve të cilët flasin kundër diktaturës por kanë nevojë për diktator, mjafton të jetë diktatori i tyre i cili ua ushqen epshin për dhunë, gjuhë urrejtjeje, sharje, poshtërim të atyre njerëzve brenda partisë të cilët guxojnë e flasin. I kënaq krejt.

Janë dy popuj brenda Shqipërisë, secili me diktatorin e vet, feudalin e vet dhe ushqyesin e epsheve përkatëse për dhunë dhe poshtërim të tjetrit. Anti-diktatura është kulturë dhe qëndrim shoqëror, nuk është deklaratë. Kështu që të mos na lodhin shumë sepse veç sa na e shpifin më tepër shoqërinë ku jetojmë.

spot_img

Latest articles

Related articles