Infrastruktura rrugore nuk është vetëm asfalt apo beton, ajo është një siguri ekonomike. Si e tillë, bllokimi i rrugës në Përrenjas po sjell një efekt domino në të gjithë aktivitetin ekonomik të zonës së juglindjes. Rajoni i Korçës është tashmë një destinacion turistik i konsoliduar, kryesisht për fundjavat. Por operatorët turistikë thonë se kjo fundjavë situata është e ngjashme si në pandemi.
“Zero telefonata, asnjë dhomë e zënë këtë fundjavë. Nuk ka ndodhur më parë, vetëm në kohën e pandemisë. Edhe disa prenotime që kisha një javë më parë u anulluan për shkak të rrugës. Ne jetojmë dhe mbajmë bizneset me vizitorët që na vijnë nga qytetet e tjera, jo me korçarët. Mbi të gjitha, fundjava që vjen mbetet ende me pikëpyetje, sepse edhe ato pak prenotime që kemi për festat e 7-8 marsit mendojmë se do të anullohen”, tha Anton Falo, operator turistik në Voskopojë.
Por bllokimi ka prodhuar edhe një efekt tjetër negativ. Operatorët e transportit kanë shtrenjtuar çmimet e biletave, si për furgonët ashtu edhe për autobusët drejt juglindjes.
“U kemi kërkuar operatorëve që të mos rrisin çmimet. Por jemi përballë një situate kur nuk kemi një afat se kur do të normalizohet situata. Nuk kemi vetëm një rritje të kostove për shkak të rrugës më të gjatë, por kemi edhe një rënie drastike të numrit të udhëtarëve. Përballë kësaj situate, çmimet janë rritur me 40%,” u shpreh Dashnor Memaj nga Shoqata e Transportit Ndërqytetas.
Situata bëhet edhe më e ndërlikuar për makinat e tonazhit të rëndë, që udhëtojnë drejt pikave doganore, të cilat kanë devijuar qarkullimin.



