Paradoksi i Integrimit: Shqipëria takson “eficensen energjitike – Kondicionerët inverter taksohen 5 herë më shumë se në BE

spot_img
Advertisements

Ndërsa Shqipëria aspiron të bëhet pjesë e familjes evropiane, politikat e saj fiskale po ecin në drejtim të kundërt me kërkesat e Brukselit. Pajisjet me eficiencë të lartë energjetike, si kondicionerët inverter, taksohen në Shqipëri me 10%, ndërkohë që në vendet e BE-së kjo tarifë është pothuajse zero (0 deri në 2.2%).
Ky mospërputhje nuk është thjesht një barrë financiare për xhepat e qytetarëve, por sipas ekspertëve, përbën një pengesë reale në procesin e anëtarësimit.

Kundra frymës së negociatave me BE
Eficienca energjetike është një nga shtyllat kryesore të kapitujve që Shqipëria duhet të negociojë për t’u anëtarësuar në BE. Dhomat e biznesit në vend kanë ngritur alarmin se mbajtja e tarifave doganore mbi nivelin evropian për pajisjet që kursejnë energji është në kundërshti të hapur me vetë procesin e integrimit. Sipas përfaqësuesve të biznesit, Shqipëria nuk mund të pretendojë përafrim me standardet e “Agjendës së Gjelbër” të BE-së, ndërkohë që penalizon fiskalisht qytetarët që blejnë teknologji kursimtare.

Tabela e paradoksit: Shqipëria “ekstremi” i rajonit
Krahasimi i tarifave tregon se si Shqipëria rëndon konsumatorin final më shumë se fqinjët:
• Pajisjet Inverter: Shqipëria 10% vs. Mali i Zi 0% dhe BE 0-2.2%.
• Televizorët (Eficience A+): Shqipëria 10% vs. Mali i Zi 3% dhe Greqia 4%.

Një barrë e dyfishtë për qytetarin
Nëse qeveria do të ndiqte modelin evropian, duke e ulur këtë tarifë në 2%, efekti do të ishte i menjëhershëm: qytetarët do të blinin pajisje që konsumojnë më pak energji dhe fatura e dritave në fund të muajit do të ishte më e ulët.
Për dhomat e biznesit, kjo heshtje trevjeçare e institucioneve ndaj kërkesave për rishikim tarifash tregon mungesë vizioni. “Në vend që të inkurajohet eficienca për të lehtësuar sistemin energjetik kombëtar, shteti zgjedh të mbledhë taksa të larta në doganë, duke e lënë qytetarin të vetëm përballë kostove të larta të jetesës,” shprehen përfaqësuesit e bizneseve.

Duket se rruga drejt BE-së po pengohet nga vetë tarifat “made in Albania” të Qeverisë, të cilat po mbajnë peng modernizimin e shtëpive shqiptare dhe po rëndojnë konsumatorin final.

spot_img

Latest articles

Related articles