Biznesmeni i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Rezart Taçi, rrezikon të dënohet me 13 vite burg nëse gjendet fajtor për akuzën e ngritur nga Prokuroria e Posaçme, se kishte marrë përsipër të pastronte 18.4 milionë euro, apo 18.4 miliardë lekë të bandës famëkeqe italiane “Cosa Nostra”.
Paratë ishin nisur nga Italia dhe do pastroheshin në Shqipëri, por u lokalizuan dhe u konfiskuan në bankën e nivelit të dytë “Alpha Bank” në Tiranë.
Në vendin tonë u arrestuan kunati dhe shoferi i biznesmenit Rezart Taçi, ndërsa në Itali të prangosur ishin disa. Artur Balla dhe Bledar Lilo, kunati dhe shoferi i Rezart Taçi, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar të dy me 21 vite burg në total.
Vetë biznesmeni i naftës është në kërkim ndërkombëtar dhe në mungesë kërkohen për të 13 vite burg. Prokurori Klodjan Braho ka treguar se këto para, ishin nisur nga një organizatë kriminale në Itali dhe në vitin 2023 kur u konfiskuan, përbënin një buxhet dyfish më të madh se ai vjetor që ka SPAK.



