Aktorja e njohur Anila Bisha ka reaguar për herë të parë pas përplasjes ligjore me shtetin lidhur me përdorimin e imazhit dhe zërit të saj për ministren “Diella”.
Në një reagim për Deutsche Welle, ajo u shpreh se mënyra si është përdorur figura e saj ka krijuar pasoja publike të padrejta, duke e ekspozuar ndaj reagimeve negative për arsye që nuk lidhen drejtpërdrejt me të.
Ajo thekson se kjo është një çështje me rëndësi të gjerë, pasi mund të prekë çdo artist apo qytetar, duke e konsideruar të rrezikshëm precedentit që krijohet kur imazhi i një personi përdoret jashtë kufijve të dakordësuar.
“Ishte diçka shumë e rëndë sa i përket imazhit tim. Gjërat filluan të përdoreshin ndryshe…Kjo është një kauzë shumë e rëndësishme, mund t’i ndodhë edhe ndonjë kolegu tim dhe një njeriu të panjohur, është shumë e rrezikshme. Jam person publik, kam krijuar një emër shumë të bukur, publiku më donte shumë. Dua, s’dua, një pjesë që nuk do kryeministrin, më urren edhe mua, pa pasur asnjë lloj lidhjeje”, shprehet ajo për DW.
Çështja nisi pasi aktorja e njohur Anila Bisha paditi Këshillin e Ministrave dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të ministres Diella. Sipas padisë, Bisha përfaqëson zyrtarisht zërin dhe imazhin e Diellës, në bazë të një kontrate bashkëpunimi 1-vjeçare të nënshkruar një vit më parë.
Diella u prezantua publikisht më 19 janar 2025 si një asistente virtuale, e krijuar për të lehtësuar me zë, figurë dhe shpejtësi shërbimet online për qytetarët e çdo grupmoshe. Ajo shërbeu fillimisht si Asistente Virtuale e platformës kombëtare e-Albania, duke u bërë pjesë e përditshme e ndërveprimit të qytetarëve me shërbimet digjitale.
Më pas, me vendim të kryeministrit Edi Rama, Diella mori postin e ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, duke u kthyer në një rast unik të përfshirjes së teknologjisë së avancuar në strukturën qeveritare.
Sipas pretendimeve të aktores, përhapja e gjerë e përdorimit të Diellës në shërbime publike dhe ngritja e saj në post qeveritar ka tejkaluar kufijtë e marrëveshjes kontraktuale, e cila ka përfunduar më 31 dhjetor 2025. Në këto kushte, Bisha argumenton se vijimi i përdorimit të avatarit të krijuar me zërin dhe imazhin e saj është i paligjshëm.
Aktorja i ka kërkuar Gjykatës Administrative që deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes, të vendosë masën e sigurimit të padisë, duke pezulluar përdorimin e avatarit të ministres Diella. Në kërkesë theksohet se si pasojë e veprimeve të palës së tretë, asaj po i shkaktohet një dëm i madh, i menjëhershëm dhe i pakthyeshëm. Aktorja kërkon një dëmshpërblim prej 1 milion eurosh, duke pretenduar se zëri dhe imazhi i saj janë përdorur përtej autorizimit të dhënë me kontratë.



