Protesta e fundit e opozitës, e shoqëruar me tensione, flakadanë dhe akuza për nxitje dhune, duket se është pjesë e një strategjie të re dhe të mirëmenduar.
Sipas analistit Lavdrim Lita, i cili dha një intervistë në “Ora news”, Partia Demokratike ka ndryshuar qasje, duke zbehur kërkesat maksimale për një qeveri teknike dhe duke u fokusuar në një fushatë të përhershme tensioni, që ka një objektiv të qartë dhe të brendshëm partiak.
Në një analizë të zhvillimeve të fundit, Lita i cilësoi protestat si “serioze”, por theksoi se ato tashmë përmbajnë “anekse piroteknike” si koktejle molotov dhe zjarr, të cilat shërbejnë për të krijuar spektakël.
Ky spektakël, sipas tij, përballet me një kundërpërgjigje “joprofesionale” të policisë me gaz lotsjellës, por në thelb synon “të ngacmojë ndërgjegjen qytetare”.
“Ishte një protestë serioze. Kjo është opozita që ne kemi aktualisht në vendin tonë.
Duhet të jemi realist. Kjo opozita është më e madhja në vend dhe di të bëjë protesta politike dhe me anekse piroteknike.
Pra, përtej fjalimeve shumë të rëndësishme të eksponentëve të ndryshëm të Partisë Demokratike dhe të opozitës, në finale ka gjithmonë efekte piroteknike me zjarr, molotov për të dhënë edhe pikëpamje spektakli në protestë dhe kundërreagimi jo profesional i policisë me gaz lotsjellës dhe dajak.
Por protesta e realizoi qëllimin e saj. Të ngacmojë sadopak ndërgjegjen qytetare që kauzat e tyre dhe hallet e tyre mund t’i adresojnë nga pikëpamja politike.
Nëse ka ndonjë opozitë tjetër që do të bëjë protesta më të mëdha se Partia Demokratike, është e ftuar dhe është e kërkuar të dalë. Për momentin ne kemi këtë dhe duhet të jemi realist që duhet të përballemi me këtë realitet.
Mendoj që protestat do të vijojnë me të njëjtën shkallë, në mos me ngrohjen e kohës duke u rritur edhe në numra.
Por mendoj që do të zgjidhin shumë pak nga pikëpamja politike, sepse kërkesat maksimale të Partisë Demokratike dhe të opozitës për qeveri teknike dhe tranzitore, janë zbehur disi edhe në retorikën e eksponentëve të opozitës dhe janë reduktuar tashmë në kërkimin e dorëheqjes së zonjës Balluku dhe ekspozimin e keqqeverisjes.
Mendoj që deri në Prill, kur do të jetë dhe rizgjedhja e zotit Berisha, do të jetë një fushatë permanente e zotit Berisha pra për të polarizuar sa më shumë debatin publik që ai mos të ketë, mos të ketë rival dhe ju e dini që kur është një gjë e radikalizuar të gjithë të tjerët janë tradhtarë dhe që nuk marrin pjesë në rrëzimin e qeverisjes.
Dhe Partia Demokratike ka krijuar këtë sensin e urgjencës, do ta rrëzojmë sot, do ta rrëzojmë nesër, pasnesër dhe në ditët në vijim dhe urgjencë, urgjencë.
Dhe ju e dini që kur ndodh një urgjencë, dy gjëra janë: o thërritet policia, o thërritet ambulanca dhe sepse ka një urgjencë, domethënë është një gjë shumë shumë emergjente dhe e kanë, e kanë bërë qytetarin shqiptar të presë shumë. Unë mendoj që edhe mund të zhgënjehet nga këto urgjencat e njëpasnjëshme, por kjo mund të jetë me qëllim afatgjatë që të rizgjidhet njëherë zoti Berisha në Prill dhe më pas të shikojmë e të bëjmë në vazhdim.
Por kërkesat maksimale të qeverisë teknike dhe tranzitore duket sikur janë zbehur pak”, u shpreh Lita



