Ideja e vjetër italiane për të ndërtuar një ujësjellës që do të lidhte burimet ujore në Jugun e Shqipërisë me rajonin e Pulias, që është goditur nga thatësira e viteve të fundit, duket se do të marrë jetë së shpejti.
Këshilli ndërqeveritar Shqipëri-Itali (mbledhja e parë e përbashkët në Romë, nëntor 2025) shënoi një moment historik, ku u firmosën 16 marrëveshje strategjike; por marrëveshjet e reja parashikojnë rikthimin e dy projekteve të vjetra të energjisë dhe tubacionit të ujit të pijshëm nga Saranda në Vlorë, bashkë me ujësjellësit e tjerë, për të lidhur rajonin e Puljas që vuan nga thatësirat. Kryeministrja Meloni po shtyn diplomacinë e Romës zyrtare të konkretizojë marrëveshjen dhe takimet e saj të ndryshme me Ramën, edhe në Dubai, ka pasur temë diskutime dy sektorët.
Qëllimi sipas mediave italiane është që çdo vit të transportohen 150 milionë metër kub ujë në Pulia dhe për rajonin do të jetë një infrastrukturë strategjike.
Uji është një nga resurset që në vitet e ardhsme parashikohet të jetë “luks” për shumë vende të botës, sipas një studimi të shkencëtarëve më në zë të botës, ndërsa Shqipëria, edhe pse ka sasinë më të madhe të ujit në Europë, në raport me popullsinë, vijon të vuajë mungesën e saj në çezmat e mijëra qytetarëve, sidomos gjatë sezonit veror, ku hoteleria shqiptare vuan pasojat e drejt për drejta nga keqmenaxhimi dhe vizioni i munguar për të furnizuar popullatën. Vlora dhe jugu i vendit vuan pasojat e keqmexhimit të resurseve ujore.

“E treta e vërteta?” – Historia e projektit
Ky nuk është një projekt i ri, por një ide që ka “fjetur” në sirtarët e diplomacisë për dekada. Kjo shënon herën e tretë që projekti del në dritë:
- Vitet ’60: Diskutimet e para nisën gjatë regjimit komunist, por mbetën në nivel teorik për shkak të izolimit të Shqipërisë.
- Periudha “Nano”: Gjatë qeverisjes së Fatos Nanos, projekti u riaktualizua si një mundësi bashkëpunimi ekonomik, por mungesa e financimeve dhe vullnetit politik të kohës e la sërish në harresë.
- Sot (epoka Rama-Meloni): Me krizën globale të ujit dhe marrëdhëniet e ngushta mes dy qeverive aktuale, projekti duket më afër realizimit se kurrë.
“Varet nga vullneti i qeverisë italiane, sepse është një projekt i madh që Shqipëria nuk mund ta realizojë dot e vetme. Është koha për ta rikthyer në tryezë,” u shpreh Kryeministri Rama.
Pse tani?
Ndryshimet klimatike kanë bërë që Pulja të ketë nevojë emergjente për burime të reja ujore. Presidenti i Confindustria Puglia, Sergio Fontana, ka qenë një nga zërat më proaktivë, duke theksuar se Shqipëria është një vend “shumë i pasur me burime ujore” dhe se kjo vepër do të ishte strategjike për të gjithë Mesdheun.
Hapat e radhës
Projekti pritet të diskutohet sërish në detaje gjatë takimeve dypalëshe që do të mbahet në Vlorë dhe në takimet pasuese të Komitetit të Investimeve në Romë. Nëse palët bien dakord për financimin, inxhinierët italianë janë gati të nisin projektimin teknik të ujesjellësit që do të marrë ujin nga Radhima dhe Tragjasi për ta dërguar përtej detit



