nga Xhodi Hysa
Donald Trump ka një vit në presidencë, dhe në politikën e jashtme amerikane kanë ndodhur ndryshime me peshë. Nuk është fjala për retorikën e Trump, e cila duhet dalluar nga veprimet reale.
Raportet e SHBA-së në Lindjen e Mesme kanë pësuar zhvendosje. Turqia është rikthyer në peshën e saj si një vend me fuqi rajonale. Kjo, jo vetëm se në Sharm el-Sheik, ku po firmosej armëpushimi në Gaza, Trump deklaroi se Erdogan është shkaku i këtij armëpushimi. Ndërhyrja e Turqisë solli në SHBA presidentin al-Shara, pa përmendur praninë në bordin ekzekutiv të Bordit të Paqes për Gazën.
Pak orë më parë, mediat publikuan qëndrimin e Hakan Fidan lidhur me bisedimet që Witikoff dhe Kushner po bëjnë me Iranin në Oman. Me pak fjalë, SHBA ka pranuar disa limite ndaj Iranit, ndërsa ky i fundit ka pranuar pika për të hequr dorë në emër të një marrëveshjeje me SHBA.
Ndërsa Micotaqis dhe Erdogan takohen në Ankara, duke rikthyer një marrëdhënie të ngrirë prej disa vitesh mbi bazën e marrëveshjeve ekonomike dhe energjitike. Tom Barak, i dërguari special i Trump në Lindjen e Mesme dhe Turqi, mund të ketë qenë kumbari i këtij takimi; një biznesmen me origjinë libaneze.
Duket se marrëdhëniet strategjike të SHBA kërkojnë fuqi rajonale me peshë. Bromanca mes Trump dhe Erdogan është një marsh më shumë. Ndërsa i dërguari special i SHBA në Turqi është garanti i një rikonceptimi të politikës së jashtme, i cili me gjasë do të ofrojë siguri më shumë.
Ajo që mbetet për t’u parë është nëse Turqia do të arrijë të dërgojë ushtarët në Gaza. Nëse po, kjo do të ishte realisht një kthesë në këndvështrimin e 100-vjetorit të largimit të ushtarit të fundit osman nga ato territore.



