Piramida kriminale e AKSHI-t. Si u vu shteti digjital nën komandën e Ergys Agasit, Ermal Beqirit, Meçes e Shimës

spot_img
Advertisements


Më 16 dhjetor, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar hapi kutinë e Pandorës që zbuloi se institucioni më i rëndësishëm në varësi të drejtpërdrejtë nga kryeministri, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ishte kthyer në një Grup të Strukturuar Kriminal. Në 10 vitet e fundit, AKSHI ka administruar 500 deri në 600 milionë euro për procedura tenderash, ndërsa hetimi i nisur në 2024 nga SPAK zbuloi se si fituesit paracaktoheshin në zyrën private të shtetasit Ergys Agasi me Biznesmenin Ermal Beqiri dhe drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj; por përfituesit janë edhe Armand Frangu, Gerond Meçe, madje të gjitha nën sytë e veshët e nëndrejtorit Daniel Shima

Rolet e tyre ishin të ndara; Ergys Agasi ishte personi që siguronte aksesin me institucionet shtetërore, Ermal Beqiri ishte biznesmeni që operonte në fushën e teknologjisë së informacionit. Ndërsa Mirlinda Karçanaj përdorte kriterin e certifikatës së sigurisë personale dhe industrial për të përjashtuar nga gara konkurrentët.

Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimin për implikimin e Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit në tenderat e AKSHIT në procedimi penal or. 10, viti 2024.

Organizatorët e grupit të strukturuar kriminal të AKSHI-t sipas dosjes së prokurorisë së Posaçme ishin Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Nga njëra anë këta përdornin lidhjen me drejtoreshën e Agjencisë Kombëtaret ë Shoqërisë së Informacionit Mirlinda Karçanaj për të vendosur kritere përjashtuese dhe vlera të fryra për tenderat që donin të fitonin.

Agasi, Beqiraj dhe Karçanaj përdornin skemën e certifikatave të sigurisë personale dhe certifikatat e sigurisë industriale si detyruese (me qëllim skualifikimin e konkurrentëve) për prokurime të caktuara. Këto kanë rezultuar në kundërshtim me ligjin dhe vendimin e këshillit të ministrave.

Hetimi i thelluar i SPAK ka zbuluar se si Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri përdorën krimin e organizuar për të imponuar konkurrentin e tyre që të tërhiqej nga ankimimi për tenderin për monitorimin me kamera të sallave të burgjeve për hyrjet dhe daljet.

Në faqet 72 dhe 77 të dosjes së SPAK, organi i akuzës ka zbuluar se si anëtar të krimit të organizuar, morën peng për llogari të Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, biznesmenin Geront Meçe (ish ortak i Armand Frangut, baxhanaku i Edi Ramës) dhe nën kërcënimin e armës në një zonë të pabanuar mes Tiranës dhe Elbasanit e detyruan që tërhiqte ankimimin për tenderin e monitorimit me kamera të sallave të burgjeve. Për të shpëtuar jetën e tij SPAK ka dokumentuar me prova momentin kur biznesmeni Meçe urdhëronte punonjësin e tij që të tërhiqej në disa procedura tenderimi ku garonin dhe disa të tjera ku kishin bërë ankimim.

Ishte Ergys Agasi i cili i garantonte terren të lirë personave që aktivizoheshin në pengmarrje që të mos kishin asnjë shqetësim nga policia e Shtetit, përmes lidhjes së tij të ngushtë me nëndrejtorin e Policisë së Tiranës Erjon Ismailin. Ky i fundit sipas dosjes së SPAK ka shkuar disa herë në zyrën e Agasit dhe përmes të tretëve i ka çuar mesazhe që të mos qëndroj larg nga tenderat e AKSHI-t.

“Duhet me u tërheq nga AKSHI për tenderat: Hyrje-dalje IEVP, Infrastrukturat Doganat, Menaxhimi Proceseve SHKO, Kadastra Vreshtit, Licenca AZHT. Gjithashtu duhet edhe një letër, ku tërhiqemi nga të gjitha për mungesë kapacitetesh po në AKSH”

MCN ka siguruar edhe dëshminë e dhënë para gjykatës së apelit të posaçëm më 3 shkurt të Daniel Shimës, ish-nëndrejtori I AKSHI-t një nga personat që u fol edhe se ishte marrë peng njësoj si biznesmeni Geron Meçe.

Përpara trupës gjykuese dhe Prokurorëve ë SPAK Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, Shima ka thënë se të gjitha veprimet dhe vendimet e tija kanë qenë nën direktivat e eprores sime Mirlinda Karçanaj. Ai ka folur për biznesmenët në kërkim, por deklarimet lidhur me ta ende nuk dihen. Daniel Shima është shprehur se AKSHI dirigjohej nga Karçanaj dhe të gjitha vendimmarrjet e tij janë orientuar prej saj.

“Të gjitha veprimet dhe vendimet e mia kanë qenë nën direktivat e eprores sime Mirlinda Karçanaj. AKSHI dirigjohej nga Karçanaj dhe të gjitha vendimmarrjet orientoheshin prej saj”, është shprehur Shima

Ergys Agsai dhe Ermal Beqiri kishin përzgjedhur edhe kompanitë me të cilat do të bashkëpunonin. Pjesë e dosjes së SPAK për grupin e strukturuar kriminal të AKSHI-t është Soft& Solution e lidhur Ermal Beqirin, Comunication progress SHPK, në pronësi të bashkëjetuesit të mostrës së Beqirit, First SHPL e Gëzim Hoxhës dhe 3I Solution dhe Fastech e biznesmenit Andis Papa. Siç ka provuar SPAK nga materialet filmike të gjetura në serverin e instaluar në zyrën private të Ergys Agasit, ky i fundit me Beqirin caktonte se kush nga operatorët e mësipërm do të merrnin tendering dhe për çfarë vlere. Vlera për operatorin ekonomik vendosej pasi dy organizatorët caktonin përqindjen që do të merrnin vetë.

Pasi vetë Ergys Agsai dhe Ermal beqiraj përfitonin para publike përmes kompanisë Soft and Solution të Beqirajt dhe përqindjen që merrnin për punët që I jepnin kompanive të përzgjedhura me ta, në këmbim për bashkëpunimin, drejtoreshës Karçanaj dhe bashkëjetuesit të saj siç ngre akuzën edhe SPAK i kanë shitur një automjet me vlerë 36 mijë euro për vlerën 9 mijë euro. Bëhet fjalë për një automjet Volkswagen Tiguan NF Highline, i blerë i ri për 38,700 Euro nga shoqëria “Forensic-LAB” (në pronësi të Erisa Malellarit, ish-punonjëse e Ermal Beqirit). Brenda një kohë të shkurtër automjeti i është shitur Artan Babaramos (bashkëjetuesit të Mirlinda Karçanajt) për vetëm 9,000 Euro. Gjykata e cilëson këtë si një përfitim të padrejtë, pasi vlera është sa ¼ e çmimit fillestar.

Në dosjen e SPAK është evidentuar një tjetër rast ku Mirlinda Karçanaj bleu një makinë të re Honda dhe, pas një kohe të shkurtër, ia shiti atë shoqërisë “Soft & Solution” (përfaqësuar nga Arjola Koromani) për 580,000 lekë. Kjo ngre dyshime për transaksione fiktive për të justifikuar kalimin e parave.

Karçanaj lidhi një kontratë qiraje për një apartament me “Forensic-LAB” (lidhje e të njëjtit grup), me vlerë 250,000 lekë në muaj, e cila u revokua pas 3 muajsh dhe paratë u kthyen, duke lënë të kuptohet për tentativa për të legalizuar para ose favore që nuk u finalizuan dot me letra.

Erisa Malellari, që i shiti makinën lirë bashkëjetuesit të Karçanajt, ka punuar te “Soft & Solution” dhe është e lidhur ngushtë me Ermal Beqirin. Gjithashtu, motra e Ergys Agasit (Viola Agasi) dhe vëllai i Meri Manajt (Kristi Manaj) punojnë te “Soft & Solution”, duke mbyllur qarkun e nepotizmit

Agasi dhe Beqiri ishin kujdesur që për procedurat e dokumenteve në AKSH të punësonin njerëz të besuar të tyre. Meri Manaj, një ish punonjëse e Soft and Solution u bë drejtoresh e IT së Doganave dhe rezulton se tenderin për sistemin e doganave e ka fituar soft And Solution. Pjesë e Grupeve ë Punës në AKSH ishte edhe motra e Ergys Agasit Viola Agasi.

Ndonëse të gjitha këto fakte gjenden në dosjen e SPAK të vlerësuar edhe nga GJKKO kur ka miratuar masat e sigurisë, institucionet shqiptare nuk i kanë ndaluar financimet për pjesëtarët e grupit kriminal duke kaluar në muajin janar qindra mijëra euro në llogaritë e tyre.

Njësoj si me rastin e Inceneratorit të Tiranës, edhe në Skandalin e dosjes së AKSHIT, ndonëse prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit i ka cilësuar grup i strukturuar kriminal, institucionet vazhdojnë të derdhin qindra mijëra euro në llogaritë bankare të personave të shpallur në kërkim ose atyre nën masë arresti.

Sipas të dhënave të nxjerra nga thesari i shtetit, rezulton se paratë e taksapaguesve shqiptarë kanë përfunduar në portofolin e Ermal Beqirit, Ergys Agasit, Gëzim Hoxhës dhe Andis Papa, të gjithë të përfshirë në dosjen e SPAK për paracaktimin e tenderave në Agjencinë Kombëtaret ë Shoqërisë së Informacionit.

Kompania “Soft & Solution” sh.p.k. është shoqëria kryesore e lidhur me Ermal Beqirin dhe Ergys Agasin, e akuzuar për paracaktim tenderash dhe pastrim parash. Në janar të këtij viti pasi janë vendosur në akuzë nga SPAK ata kanë përfituar mbi 11 milionë lekë pagesa nga vetë AKSHI. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ekzekutuar dy fatura duke paguar shuma të mëdha, përfshirë një pagesë prej 17,475,840 Lekë dhe një tjetër prej 4,324,260 Lekë. Edhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka kryer pagesa te soft & solution në janar.

Institucionet Shqiptare janë treguar bujare dhe pa asnjë interes se ku shkojnë paratë e buxhetit të tyre edhe për “Fastech” sh.p.k., Shoqëri nën administrimin e Andis Papës. Papa akuzohet për bashkëpunim në skemën e fryrjes së çmimeve dhe kalimin e parave tek Ergys Agasi. Gjatë këtij muaj Aparati i Ministrisë së Mbrojtjes ka ekzekutuar një pagesë prej 13,000,000 Lekësh., Sipas të dhënave të thesarit të shtetit Drejtoria e përgjithshme e tatimeve ka kryer një tjetër pagesë të Fastech në vlerën e mbi 12 milionë lekëve. Nuk mungon as AKSHI që në mënyrë të përsëritur gjatë muajit janar ka kryer pagesa që variojnë nga 200 mijë lekë deri në 3.3 milionë lekë.

Me të njëjtin ritëm, pagesa kanë përfituar edhe familjarë të Ermal Beqirajt që dyshohet se janë prestanome të tij dhe të Agasit. Kështu “Communication Progress” sh.p.k, Shoqëri e lidhur indirekt me Gentian Likajn (bashkëjetuesi i motrës së Ermal Beqirit), e akuzuar për favorizim në tendera. Ka arkëtuar në portofolin e kompanisë mbi 100 milionë lekë pagesa vetëm në muajin janar nga institucionet e shtetit.

Pjesë e listës që kanë përfituar para nga buxheti shtetit këtë muaj ndonëse janë pjesë e grupit kriminal të AKSHI-t janë edhe First SHPL e Gëzim Hoxhës dhe 3I solution.

Nga një vëzhgim i mediave konstatohet se ndonëse Mirlinda Karçanaj ka deleguar kompetencat, duket se ajo gëzon kontroll të plot te institucioni që e drejton prej 12 vitesh. Mediat zbuluan se të gjitha kompanitë që kanë përfituar para në janar pasi janë shpallur grup kriminal kanë patur marrëdhënie financiare mes njëri tjetrit.

Ndërkohë Burime bëjnë me dije se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sekuestruar vetëm kompaninë “EATabaço”, e cila rezulton në pronësi të Ergys Agasit dhe është përdorur për të kaluar pjesën që përfitonte Agasi nga i gjithë aktiviteti i tyre i jashtëligjshëm, së bashku me Dario Jasharin.

Sipas dokumenteve të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të siguruara nga mediat, masa e sekuestrimit është vendosur nga autoritetet tatimore. Ende nuk dihet detyrimi konkret financiar që kompania i ka shtetit.

Ndërkohë për shtetasin Ergys Agasi i cili nga kryetari i PD Sali Berisha dhe eksponent të opozitës është akuzuar si koordinatori i pushtetit me bandat kriminale, SPAK ka të paktën edhe dy çështje për të cilat po e heton.

Që prej 2019 Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e akteve të administruara nga ana e autoriteteve italiane të drejtësisë, të cilët kanë kërkuar ndihmë juridike me qëllim krijimin e një skuadre të përbashkët hetimore, ka regjistruar procedimin penal nr. 36 të vitit 2019 për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në formën e posaçme, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal’

Ergys Agasi po ashtu është nën hetim nga SPAK në një dosje tjetër që lidhet me kontrabandën e cigareve në kuadër të procedimit penal

SPAK ka ngritur akuza ndaj 8 personave të marrë nën hetim, përfshirë drejtuesen e AKSHIT, Mirlinda Karçanaj, zëvendësdrejtoren si dhe biznesmenët. Për dy nga biznesmenët e grupit Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, u ngritën 6 akuza, nga konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë e deri të grup i strukturuar kriminal.

Nga 8 masa sigurie të miratuara nga gjykata, dy prej tyre janë ende të paekzekutuara, përkatësisht biznesmenit Agasi dhe Beqiri, ku Interpol Tirana ka bërë shpalljen e tyre në kërkim ndërkombëtar.

Për drejtuesen e akshit, Mirlinda Karçanaj prokuroria e posaçme ka ngritur 3 akuza, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.

spot_img

Latest articles

Related articles