Jeffrey Epstein, financieri i dënuar për krime seksuale dhe i vetëvrarë në burg, u përpoq vazhdimisht, sipas autoriteteve amerikane, të kontaktonte Moskën, madje edhe vetë Putinin. Kjo del në dokumentet e publikuara së fundmi nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së. Sipas CNN, Epstein “kishte një mesazh që donte t’ia përcillte” Presidentit rus Vladimir Putin.
Ishte qershori i vitit 2018, rreth një vit pas vdekjes së papritur të ambasadorit rus në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin. Sipas dokumenteve të publikuara, Churkin ishte një vizitor i rregullt në Nju Jork për Epstein, i cili madje i ishte ofruar të ndihmonte të birin, Maxim, të gjente një punë në një firmë menaxhimi pasurie në Nju Jork.
Por Epstein tani po shikonte më lart, duke kërkuar të fliste me një zyrtar tjetër rus, Ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov. Më 24 qershor 2018, Epstein i dërgoi një email politikanit norvegjez Thorbjorn Jagland, atëherë sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës: “Mendoj se mund t’i sugjeroni Putinit që t’i kërkojë Lavrovit të flasë me mua. Vitaly Churkin e bëri, por ai vdiq.”
Jagland iu përgjigj se do të takohej me asistentin e Lavrovit të hënën e ardhshme dhe do t’ia sugjeronte atij këtë.
Epstein u përgjigj: “Churkin ishte i shkëlqyer. Ai e kuptoi Trumpin pas bisedimeve tona. Nuk është e komplikuar. Ai duhet parë për të kuptuar diçka, është kaq e thjeshtë.”
A ishte ai një agjent rus?
Edhe pse interesi i Epstein për të kërkuar modele nga Rusia dhe pjesë të tjera të Evropës Lindore ishte i njohur tashmë, publikimi i fundit i një grupi dokumentesh që lidhen me të, ofron informacione të reja rreth përpjekjeve të tij për të kontaktuar zyrtarë të lartë rusë, përfshirë Putinin, dhe motivet e tij.
Këtë javë, në një mbledhje të kabinetit, kryeministri polak Donald Tusk njoftoi se vendi i tij do të nisë një hetim mbi lidhjet e mundshme të Epstein me shërbimet e inteligjencës ruse.
“Gjithnjë e më shumë indikacione, gjithnjë e më shumë informacione dhe gjithnjë e më shumë komente në shtypin botëror lidhen me dyshimin se ky skandal i paparë pedofilie është bashkëorganizuar nga shërbimet sekrete ruse”, – tha Tusk.
“Nuk kam nevojë t’ju tregoj se sa serioze është përfshirja gjithnjë e më e mundshme e inteligjencës ruse në këtë operacion për sigurinë e shtetit polak”, – shtoi Tusk. “Kjo mund të nënkuptojë vetëm se ata kanë edhe materiale inkriminuese kundër shumë udhëheqësve që janë ende aktivë sot”.
Kremlini ka mohuar akuzat se Epstein ishte spiun rus. “Teoria se Epstein kontrollohej nga shërbimet e inteligjencës ruse mund të merret në konsideratë në çdo mënyrë, por sigurisht jo seriozisht”, – tha të enjten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se shqyrtimi i pretendimeve të tilla është humbje kohe.
Epstein kishte pretendime të mëdha
Sipas analistëve të cituar nga CNN, Epstein po përpiqej të shoqërohej me figura të shquara, duke e paraqitur veten si një lojtar gjeopolitik. Dokumentet nuk tregojnë nëse Epstein arriti ndonjëherë të kontaktonte udhëheqësin rus.
Sipas dokumenteve, më 9 maj 2013, miliarderi i shkroi ish-kryeministrit izraelit Ehud Barak se Jagland “do të takohet me Putinin në Soçi” më 20 maj, madje duke e pyetur nëse Epstein ishte i disponueshëm për t’u takuar me presidentin rus “për të shpjeguar se si Rusia mund të formësojë një marrëveshje për të inkurajuar investimet perëndimore”.
“Nuk e kam takuar kurrë, doja që ta dije” – shtoi Epstein në emailin e tij drejtuar Barack-ut.
Disa ditë më vonë, më 14 maj 2013, Jagland i tha Epstein se po planifikonte t’i përcillte një mesazh Putinit se financieri i Nju Jorkut mund të ishte i dobishëm. “Kam një mik që mund t’ju ndihmojë të bëni rregullimet e nevojshme dhe pastaj t’jua prezantoj, dhe t’ju pyes nëse do të ishit të interesuar ta takonit atë”, shkroi ai.
Përgjigja e Epstein ishte tipike: “Ai është në një pozicion unik për të bërë diçka të madhe, siç bëri Sputnik për Garën Hapësinore. Mund t’i thoni se ju dhe unë jemi të afërt dhe se unë këshilloj Gates. Kjo është konfidenciale. Do të isha i lumtur ta takoja, por jo më pak se dy deri në tre orë.”
Megjithatë, në një email tjetër drejtuar Barack-ut, të datës 21 maj 2013, Epstein pretendoi, pa dhënë prova, se kishte refuzuar kërkesën e Putinit për t’u takuar gjatë një konference ekonomike ruse në Shën Petersburg. Epstein tha se nëse Putini donte ta takonte, ai “do të duhej të merrte kohë reale dhe të siguronte privatësinë”.
Disa nga kontaktet e Epstein me zyrtarët rusë ndodhën në një kohë të ndjeshme për marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë, pas akuzave për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, të cilat i fitoi fillimisht Donald Trump.
Në qershor 2018, Jangland i dërgoi një email Epsteinit duke shprehur shpresën e tij se ai do të qëndronte në rezidencën e tij në Paris pas kthimit nga Moska, ku do të takohej me Putinin, Lavrovin dhe Dmitry Medvedevin, atëherë kryeministër i Rusisë. “Më vjen keq që nuk jam me ju për të takuar rusët”, u përgjigj Epstein.
Lidhjet ruse
Dokumentet sugjerojnë se Epstein kishte një marrëdhënie të ngushtë me të paktën një rus me lidhje me FSB-në, shërbimin kryesor të sigurisë së Rusisë, pasardhëses e KGB-së. Epstein iu referua Sergei Belyakov, i cili sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS u diplomua nga Akademia FSB në Moskë në vitin 1999, si “miku im shumë i mirë” në një email të vitit 2015 drejtuar investitorit miliarder Peter Thiel.
Në një bisedë online midis Belyakov dhe Epstein në vitin 2016, Belyakov e informon miliarderin se ka marrë një pozicion të ri në Fondin Rus të Investimeve Direkte (RDIF), fondi shtetëror i investimeve të vendit, dhe se po kërkon të tërheqë investime për projekte ruse. “Do të bëj çfarëdo që të jetë e dobishme”, i shkroi Epstein Belyakovit disa ditë më vonë.
Epstein kishte kërkuar gjithashtu ndihmën e Belyakov në të paktën një rast. Në një korrespondencë të vitit 2015, Epstein i shkruante Belyakov se një “vajzë” ruse nga Moska po përpiqej të shantazhonte një “grup biznesmenësh të fuqishëm” në Nju Jork dhe se “kjo është keq për bizneset e të gjithë të përfshirëve”. Epstein më pas e informoi Belyakov për mbërritjen e vajzës në Nju Jork dhe hotelin ku ajo po qëndronte, duke i kërkuar “sugjerime”.
Epstein pretendoi gjithashtu se i kishte ofruar këshilla oligarkut rus Oleg Deripaska. Në një email të vitit 2018 me Jide Zeitlin, një ish-drejtor ekzekutiv dhe investitor privat i Coach, Zeitlin falënderoi Epstein për “mendimet e tij mbi Deripaskën, i cili ishte sanksionuar nga SHBA-ja vetëm një muaj më parë”. Epstein më pas ia përcolli korrespondencën Steve Bannon, ish-strategut kryesor të Trump, duke shkruar: “Thjesht po ju njoftoj”.



