SPAK përballë 35 viteve pandëshkueshmëri! Nga Taulanda Jupi

spot_img
Advertisements

Pas 35 vitesh tranzicion, Shqipëria ndodhet në udhëkryqin historik të 35 viteve tranzicion. SPAK-u, me të gjitha vështirësitë, mangësitë apo dilemat që mbart, ka tronditur themelet e një sistemi politik të ndërtuar mbi PANDËSHKUESHMËRINË.
Për herë të parë, “të paprekshmit” nuk duken më aq të sigurt, nuk janë më aq të fortë.

SPAK-u ka thyer një rregull të pashkruar të tranzicionit shqiptar: se njerëzit e veshur me pushtet nuk gjykohen. Për 35 vite me radhë, politika shqiptare e ka ndërtuar stabilitetin dhe status quon e saj mbi një marrëveshje të heshtur: rotacion pa ndëshkim. Kush largohej nga pushteti, largohej pa llogaridhënie, pa përgjegjësi dhe kush vinte, trashëgonte të njëjtin imunitet.

Fakti që organet e drejtësisë kanë hyrë sot në territorin e “të paprekshmëve” nuk është thjesht çështje individësh nën hetim. Është një goditje direkte ndaj vetë arkitekturës së pushtetit.

Po shëmbet! Çdo ditë nga pak.
Prandaj reagimi i politikanëve të korruptuar apo bashkëpunëtorëve të tyre kundër SPAK-ut është kaq nervoz, agresiv dhe i sinkronizuar. Përpjekja për ta delegjitimuar dhe sulmet ndaj SPAK-ut nuk janë debate juridike, por përpjekje politike për ta mbajtur drejtësinë nën kontroll.

Prandaj ky është një moment historik. Jo thjesht sepse po hetohen, akuzohen apo gjykohen politikanë të cilët në 35 vite kanë qenë të paprekshëm, por sepse po vihet në provë vetë modeli i shtetit që Shqipëria do të ketë.

A duam një shtet ku ligji është mbi të gjithë, apo një shtet ku ligji përkulet përpara pushtetit?
A duam barazi para ligjit, apo privilegj për të fortët?
A duam drejtësi, apo vetëm një demokraci fasadë që mbaron ditën e votimit?

Nuk ka kompromis mes këtyre dy modeleve. Nuk ka rrugë të tretë.

Sepse në momentin që ligji i nënshtrohet pushtetit politik, shteti i së drejtës pushon së ekzistuari dhe demokracia reduktohet në një ritual elektoral.

SPAK-u është përpjekja më serioze për të thyer një rregull të pashkruar 35-vjeçar: se njerëzit e veshur me pushtet nuk ndëshkohen.
Nëse kjo përpjekje dështon, nuk do të dështojë thjesht një institucion. Do të dështojë vizioni dhe projekti se Shqipëria mund të jetë një shtet i së drejtës. Dhe kjo përgjegjësi nuk bie vetëm mbi drejtësinë, por mbi të gjithë ne.

spot_img

Latest articles

Related articles