Një masiv i madh shkëmbor ka rënë këtë të diel në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas, në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”, dhe për pasojë është bllokuar totalisht qarkullimi.
Sipas raportimeve, situata paraqitet alarmante, pasi masat e mëdha shkëmbore kanë pushtuar plotësisht segmentin rrugor, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve dhe duke rrezikuar seriozisht sigurinë e drejtuesve të automjeteve.
Qindra qytetarë kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra, në një nga arteriet më të rëndësishme kombëtare që lidh Librazhdin me Juglindjen e Shqipërisë.




