SPAK djeg skemën e amnistisë fiskale për “Bankers Petroleum”! Thellon hetimet për zyrtarët e përfshirë!

spot_img
Advertisements

Prokuroria e Posaçme ka bllokuar mundësinë e amnistisë fiskale për “Bankers Petroleum”. Në fund të vitit që lamë pas, Kuvendi miratoi dy projektligje: “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe të detyrimeve të pagueshme në doganë” dhe “Për marrëveshjen e paqes fiskale”.

Sipas ligjit të parë, borxhet që datojnë nga më shumë se një dekadë më parë do të anulohen plotësisht. Një ndër kompanitë që ka detyrime të shumta ndaj shtetit është “Bankers Petroleum”. Ajo ka detyrime doganore dhe një gjobë me vlerë 120 milionë euro, të vendosura për mashtrim fiskal-doganor. Po ashtu është përfolur si përfituesja më e madhe e kësaj skeme.

Por SPAK duket se ka bllokuar çdo lloj pazari. Në programin e transparencës, SPAK është pyetur nëse ka regjistruar procedim penal për subjektin juridik “Bankers Petroleum” si tatimpagues me NIPT-in L43128401L, kjo për faktin se ligji i paqes fiskale nuk lejon të përfitojnë kompanitë që janë nën hetim. SPAK ka konfirmuar se ka regjistruar procedim penal individual ndaj “Bankers” si person juridik, para se ligji të hynte në fuqi.

“Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal për subjektin ‘Bankers Petroleum’, i dyshuar për kryerjen e veprave penale: ‘Fshehje e të ardhurave’, ‘Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar’, të parashikuara nga nenet 180/3 dhe 144/a të Kodit Penal”, thekson SPAK.

Sipas ligjit, nëse kompania po hetohet penalisht për vepra tatimore si mashtrim dhe ose evazion, apo ka një dënim të formës së prerë për fshehje të të ardhurave apo pastrim parash, skualifikohet menjëherë. Bëhet fjalë pikërisht për dy veprat mbi të cilat SPAK ka regjistruar procedim penal. Kjo do të thotë se “Bankers” nuk hyn dot në marrëveshje fiskale me Tatimet.

Nga ana tjetër, janë thelluar hetimet. SPAK ka shtrirë hetimet deri në Austri, pasi rezulton se “Bankers” ka përdorur selinë qendrore të “Raiffeisen Bank” për të kryer transferta. SPAK ka dërguar letër-porosi në Austri për të siguruar të dhënat e transaksioneve.

Po ashtu, në Shqipëri po kryhen hetime edhe ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. Përveç dy veprave më sipër, SPAK po heton edhe për: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”; “Shpërdorimi i detyrës”; “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”; “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Më 3 korrik, Prokuroria e Fierit bastisi zyrat e “Bankers”. Me vendim të Gjykatës së Fierit u lëshuan 14 masa sigurie. Dosja më pas kaloi te SPAK. Gjykata ka lënë me arrest shtëpie Leonidha Çobo (ish ceo) dhe Ceon aktual kinez, Hu.

spot_img

Latest articles

Related articles