Nga Fitim ZEKTHI
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është përballur me një akt madhor për jetën politike, funksionimin e shtetit dhe vetë të saj. Ajo do të vendosë nëse gjykatat kanë të drejtë të pezullojnë nga detyra një anëtar të qeverisë në mënyrë që ky anëtar i qeverisë të mos pengojë hetimin e tij nga prokuroria. Siç dihet, gjykata kundër krimit dhe korrupsionit e ka pezulluar nga detyra zv.kryeministren Balluku. Qeveria dhe kryeministri pretendojnë se kjo është një ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv dhe se pushteti gjyqësor nuk ka të drejtë të pezullojë një anëtar qeverie. Sipas qeverisë, prek parimi madhor i ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Ndërkohë që është një çështje me rëndësi jetike për jetën politike dhe institucionale të vendit nga pikëpamja kushtetuese, ajo është diçka shumë e thjeshtë dhe shumë e qartë. Ajo bëhet “e madhe” për shkak të luftës gati totale të qeverisë për të mos lejuar pezullimin e zv.kryeministres dhe për t’i hapur rrugën rasteve të tjera më pas. Gjykata Kushtetuese duket si e përkulur nga kjo luftë totale e qeverisë dhe nga lufta po totale e zhvilluar në media nga përkrahësit e qeverisë. Gjykata, në fillim (rreth një muaj më parë), vendosi të pezullojë vendimin e GJKKO-së që pezullonte zv.kryeministren derisa të shqyrtonte çështjen në themel, duke u përpjekur të ulë tensionin dhe presionin dhe duke krijuar idenë sikur këtu ka lëndë të fortë kushtetuese në favor të arsyetimit të qeverisë.
Gjithçka është fare e qartë, fare e qartë edhe për njerëz me njohuri të thjeshta mbi kushtetutën, filozofinë politike apo shkencat politike. Gjykata kundër krimit dhe korrupsionit nuk po pezullon ndonjë funksion të qeverisë. Ajo po pezullohet një anëtar i cili dyshohet se, me pushtetin që ka dhe me veprimet e provuara, pengon drejtësinë. Asnjë prerogativë e pushtetit ekzekutiv nuk po preket. Kryeministri mund ta zëvendësojë menjëherë, përkohësisht ose jo, atë anëtar të qeverisë.
Ndërhyrja e gjyqësorit do të thotë që ai përcakton politikat e qeverisë, vendimet e saj dhe bën emërimet e anëtarëve të qeverisë. Kjo nuk po ndodh. Në doktrinën kushtetuese, pushteti gjyqësor zotëron atë që njihet si “pushtet gjyqësor i natyrshëm” i gjykatave, i cili ka të bëjë me zotërimin e çdo pushteti për të bërë drejtësi.
Pra, qeveria, pushteti ekzekutiv dhe pushteti legjislativ nuk mund të bëjnë asgjë për të penguar drejtësinë. Gjykata nuk e lejon atë të pengojë gjykatën të bëjë drejtësi. Dy profesorë të njohur të kushtetues në SHBA, Gregg Webb dhe Keith Whittington, në një studim monumental, thonë se gjykatat kanë fuqi të urdhërojnë parlamentet madje që të përcaktojnë buxhetin në masën e nevojshme për gjykatat në mënyrë që ato të ushtrojnë “pushtetin e natyrshëm gjyqësor” (inherent judicial power), në mënyrë që ato të bëjnë drejtësi. Ata thonë se shumë raste gjykatat kanë urdhëruar kongreset e shteteve për të përcaktuar buxhetin që ato kërkojnë. Në Kansas, për shembull, Gjykata Supreme e Kansasit urdhëroi Kongresin e shtetit (pasi kishte bërë shkurtime) që ta lërë buxhetin për gjyqësorin aty ku ishte. Edhe Gjykata Supreme e Pensilvanisë ka bërë të njëjtën gjë. Në vitin 2001, kryetari i Gjykatës së Apelit të Nju Jorkut (e cila luan rolin e Gjykatës Supreme) Sol W. Wahler urdhëroi guvernatorin Mario Cuomo (kreu i ekzekutivit) që të mos shkurtonte buxhetin e gjyqësorit (pasi ai e uli me 10%).
Të gjitha këto, që në pamje të parë duken si ndërhyrje të gjyqësorit në pushtet legjislativ apo ekzekutiv, nuk janë të tilla, thonë Webb dhe Whittington. Kur urdhri i gjykatës për të ndryshuar buxhetin në mënyrë që të mos pengohet drejtësia nuk e prek ndarjen e pushteteve, si e prek kjo ndarje pezullimi nga detyra i një anëtari qeverie? Kjo është një marrëzi e arsyetimit të qeverisë sonë.
Ka raste të tjera edhe më flagrante në praktikën kushtetuese dhe politike botërore. Në vitin 1990 dhe në vitin 1995, Gjykata Supreme e SHBA-së vendosi në çështjen Jenkins vs Missouri të urdhërojë qeverinë që të rrisë taksat lokale dhe të financojë reforma arsimore. Gjykata përcaktoi konkretisht çfarë duhet të bëjë qeveria, sepse gjykata përcaktoi se kishte segregacion. Ndërkohë ligjet e segregacionit ishin shfuqizuar, por segregacioni ekzistonte për arsye ekonomike dhe sociale. Atëherë gjykata urdhëroi qeverinë duke i treguar asaj se çfarë politikash të ndiqte.
Në çështjen Swann v. Charlotte-Mecklenburg Board of Education në 1971, Gjykata Supreme urdhëroi qeverinë që të rregullonte transportimin e nxënësve në mënyrë që të mos kishte segregacion. Segregacioni ligjërisht ishte zhdukur, por ndodhte në terren për shkaqe ekonomike dhe shoqërore. Gjykata tregoi detajisht mënyrën se si qeveria duhet ta zbatonte ligjin, duke urdhëruar rindarje të distrikteve shkollore dhe përcaktimin e kufijve të shkollave për të shmangur segregacionin. Raste të tilla janë qindra në SHBA. Pra, edhe kur gjykata urdhëron qeverinë të ndjekë një politikë të caktuar ose e detyron qeverinë, nuk ka prishje të ndarjes dhe balancës së pushteteve, dhe jo kur pezullohet një anëtar i qeverisë.
Edhe në lidhje me emërimet dhe të drejtën ekskluzive të qeverisë apo kryeministrit për të bërë emërime, gjykata mund të ndërhyjë kur sheh se ka padrejtësi ose probleme kushtetuese. P.sh., rasti i çështjes NLRB v. Noel Canning në 2014 është një shembull i qartë ku Gjykata Supreme e SHBA-së përdor pushtetin e saj për të udhëzuar ekzekutivin mbi sjelljen e ardhshme, jo vetëm për të vendosur kufizime të menjëhershme. Gjykata Supreme urdhëroi Presidentin Obama për emërimet që ai po bënte gjatë kohës që Senati ishte në pushim (recess appointment). Ky vendim nuk ishte thjesht një kufizim i menjëhershëm, por një udhëzim institucional dhe normativ që përcakton sjelljen e ekzekutivit për periudhat e mëpasme. Gjykata e kufizoi Presidentin Obama në këto emërime, megjithëse kushtetuta parimisht i jep të drejtën.
Kësisoj është e qartë se pezullimi i Ballukut është një gjë elementare që nuk prek asnjë grimë të pushtetit ekzekutiv. Gjykata Kushtetuese thjesht duhet të ketë fare ndërgjegje kushtetuese edhe shtetërore, dhe kjo çështje është e mbyllur



