Kryeministri Edi Rama tha se nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes në Davos, për shkak se kishte zgjedhur të mikpriste në Shqipëri vajzën e Presidentit amerikan, Ivanka Trump.
“Meqë po përsëritet e njëjta pyetje edhe që mos të shqetësoheni sepse e kuptoj që jeni shumë të shqetësuar pse unë nuk jam atje se mezi prisnit që të më shikonit atje. Në fakt unë duhet të bëja një zgjedhje midis t’i përgjigjesha ftesës së babait apo të mikprisja vajzën këtu në Shqipëri. Dhe zgjodha vajzën dhe natyrisht që vajzën e zgjodha me lejen e babait”, tha Rama.
Ivanka Trump ndodhet prej dy ditësh në vendin tonë, ku ka vizituar Manastirin e Zvërnecit dhe zona të tjera të qytetit bregdetar. Bashkëshorti i saj, Jared Kushner, është pjesë e një projekti për ndërtimin e një resorti kuksoz në ishullin e Sazanit.
Bordi i Paqes do të përbëhet nga liderë botërorë dhe fillimisht u konceptua si pjesë e planit për rindërtimin e Gazës, por mandati i tij është zgjeruar më pas.
Të mërkurën, shtatë vende, përfshirë Arabinë Saudite, Katarin, Turqinë dhe Egjiptin, njoftuan se do t’i bashkohen bordit. Izraeli ka konfirmuar gjithashtu publikisht pjesëmarrjen e tij.
Një numër vendesh kishin aderuar tashmë, përfshirë Marokun, Bjellorusinë dhe Bahreinin.
Kanadaja, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar janë mes vendeve që janë ftuar gjithashtu. Këtë mëngjes, Sekretarja e Jashtme Yvette Cooper i tha BBC-së se Mbretëria e Bashkuar nuk do të jetë nënshkruese sot, duke përmendur shqetësimet lidhur me përfshirjen e Presidentit rus Vladimir Putin.



