Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zbuluar shkelje në mbi 8 700 subjekte të ndërtimit, duke evidentuar problematika jo vetëm në deklarimin e punonjësve, por edhe në formën e shitjes së objekteve. Verifikimet nisën pas dyshimeve për shitje me para jashtë banke, duke ndikuar edhe në uljen e tatimit mbi fitimin prej 15 për qind. Gati për rreth 4 mijë subjekte kontrollet janë ushtruar në Tiranë.
Nga 64 mijë punonjës që ka ky sektor, 55% e tyre kanë paga deri në 50 mijë lekë, ndërsa pagën mesatare të vendit e kalojnë vetëm 10% e punonjësve.
Tre janë shkeljet e konstatuara në punësim dhe paga:
Numër i ulët i punonjësve të deklaruar në raport me vëllimin e punimeve.
Paga të deklaruara shumë më të ulëta se niveli mesatar i tregut për profesionet e ndërtimit.
Përdorimi i punëtorëve të përkohshëm ose të padeklaruar për fazat intensive të punimeve.
Këto arsye çuan tatimet të miratonin paga referuese në këtë sektor, të cilat do të rishikohen çdo vit. Me përjashtim të sanitarëve, të gjithë punonjësit e tjerë të sektorit duhet të kenë paga mbi 80 mijë lekë.



