Nga 1 janari ka hyrë në fuqi bonus malus. Kjo do të thotë se drejtuesit problematikë të mjeteve, të cilët kanë historik negativ me aksidentet, do të paguajnë më shumë për sigurimin e makinës.
“Me koeficientin një flasim për vitin 0 të dëmeve. Do të regjistrohen dëmet nga janari 2025 dhe më pas nga janari 2026 do fillohet të shihet nëse do jetë bonus apo malus problematika e shkaktimit të dëmeve nga të siguruarit. Gjatë kësaj periudhe koeficienti nuk do ndikojë keq apo mirë”, tha Artur Ribaj, pedagog.
Rregullorja e re e cila ka hyrë tashmë në fuqi përmban dhe disa faktorë risku përtej dëmeve që do regjistrohen. Të tilla si fuqia motorike, mosha e shoferit, eksperienca e tij në drejtimin e makinës, përdorimi i mjetit, qarku i regjistrimit të mjetit si dhe vjetërsia e makinës. Moshat e reja, eksperienca e ulët apo makina e vjetër konsiderohen të gjithë rreziqe që shtrenjtojnë siguracionin.
“Të gjithë faktorët fillojnë të aplikohen nga 1 janari. Çfarë është me rëndësi kompanitë e sigurimit po punojnë për automatizimin e sistemit. Mos ta lëmë në dorë të agjenteve. Të kemi një sistem ku shohim qartë dhe në mënyrë transparente se çfarë do të paguash”.
Sipas rregullores në përllogaritjen e primit të sigurimit përveç historikut të aksidenteve do të merret në konsideratë edhe Fuqia motorike, mosha e shoferit, eksperienca e tij në drejtimin e makinës, përdorimi i mjetit, qarku i regjistrimit të mjetit si dhe vjetërsia e makinës.
AMF, në mënyrë të njëanshme, ka futur disa indikatorë të domosdoshëm sipas tyre për sistemin bonus-malus në logjikën e historikut të tyre – ndër vite. Por, për sjelljen e shoferëve-qytetarëve në rrugë, ky është viti zero. Nuk ka histori!
Po si kështu? Ç’do të thotë kjo?
Unë nuk jam bërë shofer më 1 janar 2025! Kam 25 vite si i tillë dhe kam sjelljen time në rrugë.
Kush janë këta që më thonë: “Ti je shofer nga 1 janari e në vijim”? Të dhënat e mia, ashtu si të kujtdo tjetër, janë aty. Pse nuk duan t’i marrin parasysh?



