Një nga themeluesit e parkut fiktiv DURANA ka arritur që të fitojë një tender të majmë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, në një kohë që Prokuroria e Posaçme ka nën hetim tenderët e AKSHI-t dhe vetë parkun në Xhafzotaj të Shijakut. Bëhet fjalë për Armand Sharan, që konsiderohet si “truri” i DURANA-s, i cili me manovra tepër të dyshimta, megjithëse emri i del në të gjitha çështjet, vijon të fitojë miliona euro.
Ai është kthyer në “skenën e krimit”, pasi tenderi kësaj herë u zhvillua nga AKSHI, drejtuesit e së cilit janë nën hetim, madje drejtoresha Mirlinda Karçanaj, po hetohet me masën e sigurisë arrest shtëpie. Por, skandali thellohet më tej për shkak se Shara e ka fituar tenderin po në mënyrë fiktive, pasi s’ka pasur garë. Në procedurë futi emrin një kompani, por në fund nuk dha ofertë, duke ngritur dyshime se gjithçka ka qenë e paracaktuar dhe askush nuk guxon që t’a konkurrojë.
Armand Shara është aksioneri kryesor në kompanitë Infosoft Systems, Tag Engineering, iNext dhe Ikubinfo shpk. Me anë të kompanisë kryesore TAG Engineering, ku është 100% pronar, Armand Shara kontrollon prej tre vitesh së bashku me Bledar Dhimën, kompaninë INFOSOFT SYSTEMS shpk.
Sipas të dhënave nga thesari i shtetit përmes dy kompanive, Infosoft dhe Ikub info, Sharra ka përfituar rreth 130 milionë euro. Të dyja këto kompani zotërohen nga Sharra përmes TAG Engineering, ku ka 100% të aksioneve. Konkretisht nëpërmjet kompanisë INFOSOFT SYSTEMS, Shara dhe aksioneri tjetër Bledar Dhima ka përfituar mbi 100 milionë euro para publike, përmes tenderave seksretë të AKSHI-t. Ndërsa përmes kompanisë, Ikubinfo shpk, gjatë viteve të fundit Armand Sharra ka përfituar mbi 30 milionë euro tendera.
Por jo vetëm lidhja me AKSHI! Një prej kompanive të Armand Sharës rezulton të jetë pjesë e listës prej 50 bizneseve të regjistruara në Durana. Në korrik të vitit 2025, Armand Shara ka themeluar kompaninë sistemeve software iNext shpk, përmes kompanisë TAG Engineering dhe ortakut Bledar Dhima.
Edhe Shara ka ndjekur të njejtën linjë si biznesmenët dhe zyrtarët e përfshirë në hetimin e SPAK ndaj AKSHI-t, kompani të reja, por me pronarë të vjetër. Kompanitë e regjistruara në park përfitojnë lehtësirat fiskale që hynë në fuqi nga 1 janari i vitit 2025, me 0% tatim mbi fitimin për një periudhë 15-vjeçare për të ardhurat që gjenerohen nga veprimtaritë të cilat zhvillohen në park.
SPAK tashmë ka nisur hetimet, pasi janë gjetur lidhje mes korrupsionit në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Duranës, ku priten detaje në zhvillim.



