Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar ndaj projektligjit të Kuvendit për ndryshime në ligjin nr. 96/2016, duke e konsideruar një nga dispozitat e tij problem me Kushtetutën.
Sipas Shoqatës, neni 12 i projektligjit që parashikon konfirmimin e kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit deri në vitin 2028, cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe uzurpon kompetencën e Këshillit të Lartë Gjyqësor për emërimin e kryetarëve.
Shoqata thekson se kjo normë është e panevojshme, pasi KLGJ-ja tashmë ka miratuar procedurat për zgjedhjen e kryetarëve dhe funksionet janë kryer nga zëvendëskryetarët për gati gjashtë vjet. Ajo kujton gjithashtu se tentativa të ngjashme në të kaluarën janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
Shoqata fton Kuvendin të respektojë standardet kushtetuese dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor, duke ofruar në të njëjtën kohë bashkëpunim për përmirësimin e kuadrit ligjor.


