Maks Haxhia, avokati i Ergys Agasit, është paraqitur këtë të martë në SPAK dhe ka kërkuar të gjitha aktet në ngarkim të klientit të tij. Para mediave, Haxhia pohoi se Agasi ndodhet jashtë vendit dhe nuk do të kthehet në Shqipëri pa u sqaruar pozita e tij ligjore.
“Unë erdha për të parë nëse është zbardhur vendimi i gjyqtarit të hetimit paraprak, i cili ende nuk është zbardhur. Në këto kushte, mbrojtja është e paralizuar dhe ndodhet në kushtet e një terri të plotë informativ lidhur me materialet e dosjes. Ne kërkojmë më elementaren për të mbrojtur dhe për të ushtruar mbrojtjen tonë ndaj klientit. Ju bëj me dije se zoti Agasi i ka mbaruar punët e veta, por në këto kushte vetëm një njeri që do t’ia hedhin çelësin në det mund të vijë dhe të paraqitet në organet e drejtësisë”, tha Haxhia.
“Kjo situatë e krijuar, duke ngritur akuza të rënda, bën që zbatimi i masës së sigurisë t’i heqë atij çdo shans për të komunikuar me drejtësinë në bazë të të drejtave të tij kushtetuese dhe procedurale. Megjithatë është vendimi i tij për të ardhur apo për të mos ardhur për t’u paraqitur, por në kushtet kur nuk ka asnjë informacion, asnjë provë dhe asnjë material për akuzat që i ngrihen, vetëm po të jetë i çmendur do të vinte të paraqitej zoti Agasi”


