nga Jola Hysaj
Kur një nënë gjykohet, shteti dhe shoqëria dështojnë.
Të rritësh e vetme tre fëmijë pas një divorci dhe të gjykohesh për këtë nuk është debat publik.
Është padrejtësi dhe hipokrizi.
Në vend që të pyesim ku është shteti, çfarë mbështetje reale u jep grave që rrisin të vetme fëmijët e tyre, ne zgjedhim rrugën më të lehtë: moralizimin dhe paragjykimin.
Nuk po flas për kush ka bërë mirë apo keq.
Sepse asnjë debat moral nuk mund të ndërtohet mbi kurrizin e fëmijëve.
Asnjë gjykim publik nuk justifikohet kur pasojat i paguajnë ata.
Në Shqipëri, shumë gra sakrifikojnë gjithçka – dinjitetin, shëndetin, jetën personale – vetëm që fëmijët “t’ia dalin”.
Por askush nuk flet për koston njerëzore të kësaj sakrifice.
Askush nuk pyet pse barra bie gjithmonë mbi nënën dhe pse mungesa e politikave sociale fshihet pas moralit.
Flasim shumë për moral individual, por heshtim për dështimin institucional.
Gjykojmë gratë, por nuk mbrojmë fëmijët.
Në dy vitet e fundit kam parë dhjetëra raste të tilla. Janë qindra.
Nëna të forta dhe nëna të thyera.
Të gjitha me një emërues të përbashkët: janë lënë vetëm.


