nga Xhensil Shkëmbi
Darkë. Mbrëmje. Dy gra nga Anglia. Erdhën në Shqipëri për të varrosur nënën e tyre. Sapo u kishte ndërruar jetë. Pas varrimit, më telefonojnë. Duam të shohim Zhanetën, gruan që kishe postuar. Duam thjesht ta takojmë. Shkuam në shtëpinë ku po rri momentalisht Zhaneta. Prisja t’u thoshte se më duhen dru, ushqime, lek. Nuk u tha asgjë. Shyqyr erdhët, të bëj ca muhabet – u tha. Një orë aty. Më shumë sesa Zhani, më bënin përshtypje dy motrat. Kishin mendje në atë hall te takonin Zhanin, ta dëgjonin me kënaqësi një orë, për fëmijërinë e saj, punët, historitë me dikë që ajo donte, po nuk u martua se ishte jetime e nuk e donin nga familja e djalit. Dy motrat e dëgjonin, të dyja të veshura me te zeza. Në fund, patjetër që e ndihmuan por nuk më bëri përshtypje ndihma financiare. Zhani sikur kishte patur nevojë për dikë më shumë sesa diçka. Që ta dëgjonin. Për një orë, duart e Zhanit dhe motrës së vogël ishin kështu. Për një orë. Për kaq mbase ka nevojë njeriu. Për dikë t’ia mbajë dorën. Mbase vetëm për kaq. Më shumë sesa e ftohta e dimrit, ndihej e ngrohta e shpirtit…


