Një skandal brenda skandalit, një skemë të ngjashme me atë 5D, e cilëson gazetari Denis Dyrnjaja rastin e Durana Tech Park, projekti ku rezultojnë të përfshirë të gjithë anëtarët e grupit të AKSHI-t. Në një intervistë në studion e lajmeve, Dyrnjaja tha se hetimi i këtij skandali do të hedhë më shumë ditë mbi atë që ka ndodhur te AKSHI.
Kanë krijuar një skemë që përjashtonte transparencën dhe konkurrencën. Gjithçka ishte një qark i mbyllur mes aktorëve që paracaktonin fituesin.
Sot kemi para sysh një nga skandalet më të mëdha për mënyrën si është menaxhuar ky sektor. Kryeministri e ka shitur si histori suksesi AKSHI-n, por ndërkohë kishim hyrë në epokën e grabitjes dixhitale.
MCN ka zbuluar një skandal brenda skandalit. Durana Parku, ku janë përfshirë të njëjtë aktorë. Kanë krijuar një aneks të posaçëm.
Do të bëjmë mirë ta amplifikojmë këtë skandal sepse duke e bërë do të kuptojmë çfarë ndodh me AKSHI-n. Ne jemi në ndjekje të këtij skandali për të shfletuar të gjitha fletët e tij.
Dyrnjaja u ndal në emrat e përfshirë në skandalin e Durana Tech Park.
Arjola Koromani, që nga 2012 deri 2021 administratore e Soft Solution.
Mund ta cilësojmë figurantë pasi bosi ishte Ermal Beqiri. Përmes tij kalohej gjithçka. Zonja në fjalë ishte një njeri që është përdorur, natyrisht me bonuset e veta të përfitimit.
Nga investimet është vërtetuar tenderi i byzylykëve të të burgosurve, kur ishte ministër Manjani. Ishte paqja e famshme PS-LSI, në 2013. Këtu pedalon fort Ermal Beqiri dhe fillon rritja e përfitimeve të tij. Derisa ka një rritje ekstreme të përfitimit pasi i përjashtuan të tjerët fare. Kujtojmë këtu rrëmbimin e Geron Meçes dhe Daniel Shimës. Nëse ata flasin do të kontribuonin shumë për të zbardhur këtë megaskandal dhe për të vërtetuar ato që drejtësia ka në duar.
Është e njëjta skemë si ajo e inceneratorëve. Po t’i hapësh dosjet janë copë-copë sepse nuk e kanë menduar ndonjëherë që do të kontrollohen. Këto janë thagma që kanë ndodhur me paratë publike. Dhe na janë shitur si histori suksesi.
Lista e përfituesve do të vijë duke u zgjatur. Ka shumë sipërmarrës, nuk dua t’i paragjykoj. Nëse kanë implikim në këtë histori korruptive, thellësisht kriminale duhet të përgjigjen para ligjit.
Dyrnjaja tha se iniciatore e këtij projekti është Korporata e Investimeve, e cila ka 100% të aksioneve të Durana Tech Park. Ndaj kreu i saj duhet të japë shpjegime para drejtësisë. Ndërkohë, administratori i Durana Tech Park rezulton Gjergji Taho, i cili gjithashtu drejton Komisionin për Licencat e Lojërave të Fatit. Roli i këtyre dy personazheve, sipas gazetari Dyrnjaja duhet hetuar.
Personi quhet Elira Kokona që duhet të jetë rregullatori i gjithë kësaj strukture korruptive kriminale. Korporata ka 100% të aksioneve. Zonja Kokona duhet të japë shpjegime para drejtësisë. Ajo ka vënë administrator Gjergji Tahon, një njeri që duket i afërt me të. Ky na del njëkohësisht edhe kryetar i komisionit për licencat e lojërave të fatit. Është ndërkohë edhe biznesmen edhe në kompani që merren me marrëdhënie financiare, sikurse Pacera Albania, kompani bijë e kompanisë me seli në Lituani. Pra një personazh që vendoset në disa pozita të tilla. Pra edhe kryetar komisioni për licencat e lojërave të fatit edhe administrator i një projekti që nuk ekziston, është mashtrim total. Na bashkohet rastësisht në një komision që nuk vepron prej dy vjetësh, po flas për lojërat e fatit. Përplaset edhe me konflikt interesi për shkak të biznesit të tij privat.
Është një skemë si ajo e inceneratorëve. Ne paguajmë para për një gjë që nuk ekziston


