Gazeta gjermane FRANKENPOST raporton se Prokuroria gjermane ka ngritur aktakuzë ndaj një personi që dyshohet si kreu i një rrjeti mashtrimi përmes të ashtuquajturave call-centera. Në artikull thuhet se dëmi arrin deri në 230 milionë euro vetëm në vendet ku flitet gjermanisht. FRANKENPOST shkruan më tej se i akuzuari Mikheil B. drejtoi për të paktën 5 vite një call-center në Shqipëri me 600 punonjës dhe partneri i tij ishte Amant Josifi.
Gjithashtu, në vitet 2017 dhe 2018, specialistë IT me porosi të të akuzuarit kanë zhvilluar një program për cyber-trading mashtrues me emrin “PumaTS”. Sipas gazetës gjermane, Mikheil B. thuhet se fillimisht e ka përdorur këtë program në call-center-in e tij dhe më pas deri në bastisjen e nëntorit 2022 e ka shpërndarë nga Tbilisi i Gjeorgjisë.

Pra në total, Zyra Qendrore për Krimin Kibernetik ia atribuon të akuzuarit një dëm të provuar nga kallëzime penale prej rreth 52 milionë eurosh dhe një dëm të fshehtë prej rreth 180 milionë eurosh dhe vetë B. thuhet se ka përfituar rreth 29 milionë euro.
Në fund, FRANKENPOST thekson se në hetimet kundër këtij rrjeti mashtrimi, përveç Inspektoratit të Policisë Kriminale për Detyra Qendrore të Oberfrankenit, janë të përfshira edhe autoritete nga Saksonia. Gjithashtu, është krijuar një grup hetimor ku marrin pjesë edhe autoritetet e ndjekjes penale nga Shqipëria dhe Gjeorgjia.


