Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar për situatën e përmbytjeve.
“Fotografitë e sotme janë pasqyra e vërtetë e Durrësit të qeverisur nga propaganda: miliona euro investime të dështuara, projekte fasadë, punë të bëra për të vjedhur jo për qytetarët, jo për interesin publik, por për të shpërdoruar paratë e shqiptarëve!
Tenderi i idrovorit ashtu si veliera janë bërë për të vjedhur miliona Euro dhe ndërkohë idrovori që duhet të pomponte ujërat ka pompuar miliona Euro për xhepat e klientëve të pushtetit por nuk punon!
Sot Durrësi është nën ujë nga një shi i vetëm. Familje të tëra janë të braktisura, qytetarët pa asnjë ndihmë, të lënë në mëshirën e Zotit, ndërkohë bashkia dhe ministrat fshihen pas kamerave dhe justifikimeve.
Ky është modeli i Ramës: beton për oligarkët, ujë dhe baltë për njerëzit e thjeshtë. Rrugë që çahen, kanale që nuk mbajnë, ura e sheshe luksi që nuk i hyjnë në punë askujt veç atyre që ndajnë tenderat.
Ne nuk mund ta pranojmë më këtë tallje me jetët e qytetarëve. Shteti ekziston për të mbrojtur njerëzit, jo për të mbushur xhepat e pushtetit!
KËTIJ MODELI ABUZIV DUHET T’I JAPIM FUND” shkruan ai.


