Durrësi është zgjuar mëngjesin e sotëm nën pushtetin e ujit, si pasojë e motit të keq që ka përfshirë pjesën më të madhe të vendit. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa segmente rrugore, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin.
Në qytetin e Durrësit, rrugët pranë stadiumit janë përmbytur, duke u bërë të pakalueshme për këmbësorët dhe duke krijuar probleme serioze për lëvizjen e automjeteve.
Po ashtu, Në Bashkinë Lezhë, uji ka përmbytur oborret e shkollave “Kosova” dhe “Gjergj Fishta”, duke penguar zhvillimin e mësimit. Lumi Drin është arritur në kuota kritike, me fillim të zonës së rrezikut të lartë, ndërsa shumë toka në zonën e Zadrimës, Gjadërit, Zojzit, Gramshit, Kodhelit, Brinishtit, Pirajt, Torovicës, Malecaj, Balldren, Rrabosht, Mërqi, Spitenit, Treshit dhe Barbullojës janë përmbytura. Një familje në Torovicë ka kërkuar ndihmë emergjente pasi uji ka arritur 50 cm brenda banesës. Kanalet kryesore janë në kuota maksimale dhe punonjësit po punojnë për largimin e ujit nga oborret e shkollave, ndërsa OSHEE raporton ndërprerje të furnizimit në fshatrat Shënkoll, Gajush dhe pjesërisht Tale.


