Rrjetet kriminale alarmojnë inteligjencën zvicerane dhe forcat e sigurisë, ndërsa brenda 2026-ës, do të miratohet strategjia e re kombëtare kundër krimit të organizuar dhe mafies.
Referuar Interpol janë 800 organizata kriminale aktive në Evropë.
“Shumica e tyre veprojnë gjithashtu në Zvicër. Po flasim për mafian ballkanike, mafian shqiptare, vëllazëritë nigeriane, mafian marokene, mafian italiane. Ka edhe organizata kriminale turke, kineze dhe holandeze”, tha Ëildi-Cortés për televizionin publik zviceran, RTS.
Rritja e aktivitetit kriminal, sipas swissinfo,ch, ka bërë që Shërbimi Federal i Inteligjencës i Zvicrës të rrisë nivelin e kërcënimit për krimin e organizuar nga 3 në 5 (në një shkallë prej 6 pikësh) gjatë dy viteve të fundit.
Alarmi që jepet nga inteligjenca zvicerane është se bizneset e ndryshme po përdoren për pastrim parash.
“Mafia është në rrugët tona. Është mjaft e dukshme: po flasim për berberë, sallone parukerie, dyqane qebapësh dhe piceri, që përdoren për pastrim parash”, është alarmi që jepet nga shërbimi federal.
Pse Zvicra është tërheqëse për rrjetet kriminale
Vendndodhja gjeografike e Zvicrës, stabiliteti politik dhe sektori i fortë financiar e bëjnë atë një qendër të favorshme për grupet kriminale të përfshira në pastrim parash, trafik droge dhe armësh, si dhe trafikim qeniesh njerëzore.
“Ne jemi në qendër të Evropës, me një qendër financiare dhe sistem politik të qëndrueshëm. Si popull, kjo është ajo që ne e vlerësojmë, por është gjithashtu ajo që organizatat kriminale e vlerësojnë”, thotë Wildi-Cortés, e cila pasoi Nicoletta della Valle në fillim të 2025-ës.
Drejt një strategjie kombëtare
Duke pasur parasysh këtë situatë, shefat e drejtësisë dhe policisë kantonale u takuan në fund të dhjetorit për të diskutuar mbi strategjinë kombëtare për të luftuar krimin e organizuar. Plani pritet të paraqitet deri në fund të vitit, pasi të miratohet nga qeveria zvicerane.
Kantonet e kanë mirëpritur këtë veprim, duke vënë në dukje shqetësimet e tyre në rritje në lidhje me sigurinë e brendshme. Për shumë udhëheqës kantonalë, është thelbësore që qeveria të angazhojë burime të mjaftueshme, veçanërisht financiare, për të adresuar nivelet e shumëfishta të krimit të organizuar.
Wildi-Cortés paralajmëron se prania e fortë e mafias në Zvicër rrit ndjeshëm rrezikun e dhunës. “Jam e bindur se kjo përbën një rrezik për shoqërinë, për sundimin e ligjit dhe për demokracinë”, thotë ajo.
Ministri i drejtësisë, Beat Jans, teksa në fund të 2025-ës, prezantoi pjesë nga strategjia kundër krimit të organizuar, tha se duhen bërë rregullime ligjore për të thjeshtuar zbulimin dhe ndjekjen penale të pastrimit të parave, si dhe ngrirjen dhe konfiskimin e aseteve të dyshimta.
“Aktualisht jemi larg të qenit në gjendje të ndjekim të gjitha pistat në lidhje me pastrimin e parave sepse na mungojnë burimet. Duam të krijojmë burimet e nevojshme këtu”, tha Jans.
Gjithashtu, janë planifikuar rregullime legjislative në fushën e ndjekjes penale për të mundësuar sanksionim më të thjeshtë dhe më të shpejtë të sjelljes kriminale nga bandat e krimit të organizuar.
Strategjia do të zbatohet nëpërmjet një Plani Kombëtar Veprimi (PKV), i cili do të zhvillohet deri në fund të vitit 2026.
Masat që kërkojnë ndryshime legjislative do të përfshihen në një paketë legjislative dhe pritet të jenë të disponueshme si një draft konsultimi deri në fund të vitit 2027.
Masat jo-legjislative, siç është trajnimi i punonjësve, do të zbatohen përgjatë 2026 e në vijim.
Bashkëpunim i dobët kantonal
Strategjia e ardhshme do të ndërtohet rreth disa shtyllave, duke përfshirë parandalimin, shtypjen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. “Qëllimi është të forcohet baza ligjore për luftimin më efektiv të krimit të organizuar, por edhe të ndahen më shumë mjete dhe burime”, tha Wildi-Cortés.
Një element kyç, i cili është kërkuar me forcë nga kantonet, është fleksibiliteti më i madh legjislativ për të përshpejtuar shkëmbimin e të dhënave midis forcave policore kantonale.
Wildi-Cortés e përshkruan këtë si “thelbësore”, duke e quajtur situatën aktuale “një pikë të dobët të vërtetë” në aftësinë e Zvicrës për të luftuar krimin e organizuar.


