Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës mbi të ardhmen e Groenlandës janë rritur sërish. Një ditë pas operacionit të bujshëm që çoi në arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro dhe njoftimit po aq tronditës për synimin për të “marrë kontrollin” e vendit “derisa të ketë një tranzicion të rregullt”, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se vendi i tij “ka nevojë për Groenlandën” duke shkaktuar një reagim nga kryeministrja daneze, Mette Frederiksen.
Duke folur për The Atlantic, Trump përsëriti atë që kishte thënë edhe më parë: Groenlanda, sipas tij, është “e rrethuar nga anije ruse dhe kineze” dhe për këtë arsye “ne kemi absolutisht nevojë” për atë territor, i cili është pjesë e Danimarkës, një vend anëtar i Bashkimit Europian dhe i NATO-s. Kryeministrja e Danimarkës reagoi me ashpërsi duke u kërkuar Shteteve të Bashkuara të ndalin kërcënimet e tyre.
“Duhet ta them shumë hapur: Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë të drejtë të aneksojnë ndonjë territor nën kontrollin danez”, tha Frederiksen. “Nuk ka asnjë kuptim që Shtetet e Bashkuara të flasin për nevojën për të marrë kontrollin e Groenlandës. Ne kemi një marrëveshje mbrojtjeje me SHBA-në që u garanton atyre akses në Groenlandë. Dhe kemi investuar ndjeshëm për të forcuar mbrojtjen në Arktik. Ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara t’i japin fund kërcënimeve ndaj një aleati historik dhe ndaj një vendi dhe një populli që kanë thënë shumë qartë se nuk janë në shitje”.
Deklaratat e Trump erdhën pas një postimi të Katie Miller, bashkëshortja e Stephen Miller dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit, në X, ku ndau një imazh të Groenlandës të mbuluar me flamurin e Shteteve të Bashkuara, të shoqëruar me komentin: “Së shpejti”.
Edhe në këtë rast, postimi shkaktoi reagimin e menjëhershëm të autoriteteve daneze. Ambasadori danez në Uashington, Jesper Møller Sørensen, u përgjigj gjithashtu në X duke theksuar atë që vendi i tij ka deklaruar zyrtarisht edhe më parë: “Ne presim respekt të plotë për integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës. Me Shtetet e Bashkuara, “jemi aleatë të ngushtë dhe duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku si të tillë.
Siguria e Shteteve të Bashkuara është gjithashtu siguria e Groenlandës dhe e Danimarkës. Groenlanda tashmë është pjesë e NATO-s. Mbretëria e Danimarkës dhe Shtetet e Bashkuara bashkëpunojnë për të garantuar sigurinë në Arktik. Ne e marrim seriozisht sigurinë tonë të përbashkët”.


