Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka vijuar edhe ditën e dytë fushatën për mbledhjen e 100 mijë firmave në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit, duke qenë në terren dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj bëri të ditur se brenda pak orësh janë mbledhur qindra firma të tjera nga qytetarë që, sipas tij, duan që lufta kundër korrupsionit të mos ndalet dhe që të korruptuarit të përballen me drejtësinë.
“Në pak orë kemi mbledhur me qindra firma të qytetarëve shqiptarë që duan të jenë në mbrojtje të drejtësisë dhe në mbrojtje të luftës kundër korrupsionit, që i duan të korruptuarit para drejtësisë”, u shpreh Shehaj.
Ai theksoi se kjo nismë është vetëm fillimi dhe se fushata do të shtrihet jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin. “Ky është vetëm fillimi, të njëjtën gjë do të bëjmë në të gjithë Tiranën dhe në të gjithë Shqipërinë”, tha kreu i Partisë Mundësia.
Shehaj bëri thirrje për angazhim më të gjerë qytetar, duke theksuar se dhjetëra mbështetës dhe anëtarë të Partisë Mundësia do të përfshihen në mbledhjen e firmave.
“Do të ketë me dhjetëra mbështetës dhe anëtarë të Partisë Mundësia, të cilët do të përfshihen në këtë fushatë për të mbledhur sa më shumë firma”, deklaroi ai.
Sipas Shehajt, objektivi është që numri i firmave të tejkalojë shifrën 100 mijë. “Qëllimi ynë është të kalojmë mbi 100 mijë firma të qytetarëve shqiptarë në mbrojtje të drejtësisë”, theksoi ai.
Në mesazhin e tij, Shehaj ftoi qytetarët jo vetëm të firmosin, por edhe të bëhen pjesë aktive e kësaj nisme. “Ju bëj thirrje të shkoni dhe të firmosni deklaratën në mbështetje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit, por edhe të bëheni mbështetës të kësaj fushate”, u shpreh ai.
Duke e cilësuar luftën kundër korrupsionit si thelbësore për të ardhmen e vendit, Shehaj nënvizoi se shqiptarët duhet të mbajnë anën e drejtësisë.
“Është shumë e rëndësishme të mbajmë anën e drejtësisë, të mbajmë anën e luftës kundër korrupsionit, kundër të korruptuarve, kundër të paprekshmëve, kundër atyre që ia kanë bërë shqiptarëve jetën të pamundur në vendin e tyre”, tha Shehaj.
Ai e mbylli mesazhin duke theksuar se kjo është një betejë afatgjatë, por që nuk do të braktiset.
“Ky është vetëm fillimi, është një luftë e gjatë, por ne nuk dorëzohemi”, përfundoi kreu i Partisë Mundësia.


