Është shkarkuar nga detyra kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Skerdi Drenova, pas problemeve të shumta dhe të përsëritura me furnizimin me ujë të pijshëm në kryeqytet.
Vendimi është marrë pas ankesave të vazhdueshme të qytetarëve, të cilët prej muajsh raportojnë mungesë serioze të ujit në banesat e tyre.
Problematika është thelluar me kalimin e kohës dhe, sipas qytetarëve, nuk ka pësuar përmirësim as gjatë periudhës së dimrit, ndonëse në vend ka pasur reshje të shumta shiu. Kjo ka ngritur pikëpyetje të forta, sidomos duke marrë parasysh faktin se liqeni i Bovillës, burimi kryesor i furnizimit me ujë për Tiranën, ka qenë i mbushur dhe pa probleme të dukshme në kapacitetin e tij.


