Profesoresha dhe filozofja e njohur e London School of Economics, Lea Ypi, ka marrë titullin akademik “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e këtij universiteti morën pjesë përfaqësues të Senatit Akademik, pedagogë, të afërm, si dhe deputetë e të ftuar.
Fillimisht, të pranishmit ndoqën një dokumentar të shkurtër mbi jetën e Lea Ypit në Durrës dhe emigrimin e saj pas viteve ’90.
Ceremoninë e përshëndeti nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, e cila vlerësoi rolin e Lea Ypit jo vetëm si profesore, por edhe si një intelektuale me përmasa botërore.
Rektori i Universitetit, Shkëlqim Fortuzi, vlerësoi kontributin akademik të Lea Ypit, duke theksuar angazhimin e saj në fushën e lirisë politike dhe çështjet që lidhen me të drejtat dhe liritë themelore.
Profesor Doktor Lea Ypi, tashmë edhe “Doctor Honoris Causa”, u shpreh tejet e emocionuar në fjalën e saj përshëndetëse, duke theksuar se ky është titulli më i rëndësishëm që ajo merr në karrierën e saj akademike.
“Është titulli më kuptimplotë dhe më i vështiri për t’u mbajtur. Më kuptimplotë sepse të kthehesh aty ku ke rrënjët do të thotë të afrohesh aq shumë pranë burimit të vetes, sa ndonjëherë bëhet edhe e frikshme”, tha ajo.
Lea Ypi është një filozofe dhe akademike shqiptare me famë ndërkombëtare. Ajo është profesore e teorisë politike në London School of Economics and Political Science (LSE) dhe punon gjithashtu si studiuese në Australian National University. Lea Ypi mori vëmendje të madhe ndërkombëtare me librin e saj “Free: Coming of Age at the End of History” (2021), ku rrëfen fëmijërinë e saj në Shqipëri gjatë viteve të fundit të komunizmit dhe periudhën e tranzicionit pas vitit 1990. Libri është përkthyer në 30 gjuhë dhe ka fituar disa çmime ndërkombëtare


